Politikat destruktive e lanë Preshevën pa Hamamin e vjetër

Ardita Sinani, kryetare e Preshevës, ka thënë se politikat e caktuara destruktive ndër dekada, lanë Preshevën pa Hamamin e saj të Vjetër.

Ajo shprehet e zhgënjyer me gjendjen dhe dëshiron të ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim.

‘Mbyllen sytë ndaj shkatërrimit të shtëpive të vjetëra, odave dhe kullave tradicionale, zhduken hanet, mullinjtë, çezmet etj.

Kalldërmen në Çarshinë e Preshevës.

Lanë në mëshirën e fatit Shpellën dhe Vrellën e Ilincës, Shpellën e Arushës, Gurin e Shpuem, Kalanë e Preshevës, Kacipupin në Rahovicë, Vrellën e Miratocës, Kalanë e Bushtranit, Bostanishtën në Zhunicë, Livadhin e Shehut etj.

Vranë kujtesën dhe identitetin e komunës sonë. Historinë e saj. Të ardhmen e saj.

Këto politika dhe kjo mendësi rrënuese duhen të marrin fund një herë e përgjithmonë.

Megjithë kapacitetet e kufizuara profesionale dhe financiare, urgjente është të organizohemi dhe të investojmë në identifikimin, evidentimin dhe kategorizimin e drejtë të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës sonë; në funksion të mbrojtjes, restaurimit dhe valorizimit të tyre.

Me këtë qëllim takova z. Xhemaledin Salihu, z. Sami Agushi dhe z. Agim Arifi, nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë.

Me përvojën e tyre jetësore e profesionale dhe duke bashkëpunuar me vite të tëra me studiues, gjeografë, arkeologë, historianë dhe arkitektë të shumtë vendorë dhe rajonalë, ata kanë njohuri dhe sugjerime të dobishme për punën që duhet bërë në fushën e mbrojtjes, restaurimit dhe valorizimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore’ ka thënë Sinani.

Ajo ka falenderuar ata për këshillat dhe gatishmërinë për të kontribuar dhe bashkëpunuar në hartimin e zbatimin e këtyre politikave të reja, që do të shërbenin nesër edhe për zhvillimin ekonomik dhe të turizimit të komunës sonë.