Pos vdekjes së dy fëmijëve nga zjarri, lëndime kanë pësuar edhe tre familjarë të tyre

Nga shpërthimi i zjarrit në një shtëpi në Ujz të Gjakovës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë të moshës 10 e 13 vjeçare, djem të axhës mes vete, lëndime trupore kanë pësuar edhe tre familjarë të tjerë. Policia ka konfirmuar se njëri nga të lënduarit është në gjendje më të rëndë shëndetëore.

Shkaqet e shpërthimit të zjarrit deri më tani nuk dihen.

Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta, një një bisedë për Gazetën Express tha se një nga të lënduarit është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Perveç dy viktimave edhe 3 persona kanë pësuar lëndime trupore. Sipas informacioneve të lënduarit kanë pësuar vjellje dhe prerje nga xhamat dhe drunjtë që kanë rënë si pasojë e zjarrit. Të lënduarit janë familjarë të viktimave dhe personi që është në gjendje më të rëndë shëndetësore është prindi i njërit prej viktimave”, tha Graishta.

Fëmijët ndodheshin brenda në momentin kur shtëpia dykatëshe u përfshi nga flakët, ndërsa sipas policisë, trupat e tyre u karbonizuan (u dogjën).