Presidentja flet për Martin Berishajn: Mbron ambasadorin, iu qepon mediave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për raportimet se ambasadori Martin Berishaj është i përfshirë në mega-skandalin financiar, duke i dalë në mbrojtje e duke sulmuar mediat, raporton Periskopi.
‘’Si mund ju të konstatoni për një ambasador, që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, gjë të cilën e ka mohuar ambasadori”, tha ajo fillimisht.
‘’E kam dekretuar shtetësinë e pozitën e ambasadorit sepsa janë kompetenca të plota të mia dhe kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin e Kushtetutën. Sa i përket atyre që publikohen, siç e ka thënë Biden rreziku më i mirë në raport me demokracinë tonë këto ditë nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Pres që çdo gjë që publikohet të konfirmohen. E nëse nuk konfirmohen ne procesojmë dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla.’’, tha ajo.
Një skandal të madh financiar e raportoi medium slloven, Planet TV, ku i përfshirë po dyshohet të jetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, njeri i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tyre, në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar del të jetë Martin Berishaj.
Ky i fundit, tek sot bëri një reagim krejt të shkurtër dhe të paqartë në profilin e tij në Facebook. Aty tha se raportimi është shpifje dhe se do të ngre padi ndaj mediumit slloven.
“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar Berisha’’, kjo ishte krejt çka tha Martin Berishaj.
Mirëpo ambasador Berishaj nuk dha përgjigje para opinionit publik se a është kompania ‘MP Consulting’ në emër të tij dhe për çfarë transferesh nga Serbia po bëhej fjalë./

