Presidentja ka kontaktuar Zvicrën për pretendimet e Dick Martyt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pavarësisht se deri më tash nuk ka bërë ndonjë reagim publik, po del se ka shfaqur interes për zhvillimet rreth ish-senatorit zviceran, Dick Marty. Kjo pasi ky i fundit e ka konfirmuar edhe vetë, që ka pranuar kërcënime me vrasje nga intelegjenca serbe, në mënyrë që të fajësohet Kosova.

Përveç reagimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur kritika se për këtë çështje nuk po komenton presidentja Osmani. Megjithatë, pas katër ditësh nga zyra e presidents kanë folur përë këtë çështje.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, ka thënë për Nacionalen se kanë nisur menjëherë kontaktet me institucionet e sigurisë. Presidentja Osmani ka kërkuar informacione edhe nga autoritetet zvicerane, dhe pasi t’i pranojë ato, nga presidenca janë zotuar se do të deklarohen sërish.

“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova. Shkaku i ndjeshmërisë së rastit, Presidentja do të deklarohet sërish pas pranimit të informatave zyrtare nga shteti zviceran”, ka thënë Kupina për Nacionalen.

PËRPLASJET

Pavarësisht reagimit nga presidentja Osmani, debatet ndërmjet pozitës dhe opozitës për çështjen ‘Marty’ po vazhdojnë. Kjo u fuqizua edhe më shumë pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk shkoi në mbledhjen e Komisionit të AKI-së, ku për çështjen e Dick Martyt, raportoi kryespiuni Petrit Ajeti.

“Pas raportimeve të fundit për planifikimin e vrasjes së ish-senatorit Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, e kemi ftuar drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund të ketë lidhur me rastin. Fatkeqësisht edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit, kjo mbledhje u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje. Konsideroj që UÇK është mbi partitë politike”, ka thënë Ganimete Musliu, deputete e PDK-së.