Prishtina e Gjilani do të zgjedhin sot kryesuesit e Kuvendeve apo do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Sot në Prishtinë dhe Gjilan do të mbahen seancat për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

E kur kanë mbetur pak orë deri në mbajtjen e këtyre mbledhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në krye me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si partia fituese, përkatësisht LVV në krye me Alban Hysenin si fituese në Gjilan, nuk kanë arritur të bëjë koalicion me partitë tjera.

Koalicionet do t’i duhen LDK-së meqë në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende, gjë që janë të pamjaftueshme për ta zgjedhur kryesuesin.

Në Gjilan, LVV ka 10 vota dhe i duhen edhe 8 vota të subjekteve tjera për të zgjedhur kryesuesin.

Nëse kuvendet dështojnë për të zgjedhur kryesuesit gjatë ditës sotme, në të dy këto komuna mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme për asamble.

Sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.

Ndërkohë u njoftua se Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shtyrë seancën e sotme për një ditë tjetër, e cila do të vendoset ndërkohë pasi që LVV nuk ka arritur të sigurojë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryesuesit dhe as nuk ka lidhur deri më tani koalicion me ndonjë subjekt tjetër.