Prishtina, Prizreni…cilat komuna tjera do të kenë sot ndërprerje të rrymës për disa orë

KEDS ka njoftuar se të shtunën, më 6 dhjetor 2025, do të realizohen punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik dhe si rrjedhojë, disa rajone të vendit do të kenë ndërprerje të energjisë për disa orë.

Prishtinë

Në kryeqytet ndërprerjet do të nisin nga ora 09:00 dhe do të zgjasin deri rreth orës 15:30, në zona si Fushë Kosova, Veterniku, Hajvalia (Ulzati), Graçanica dhe disa institucione të rëndësishme. Shumica e ndërprerjeve lidhen me kalimin e daljeve ndërmjet transformatorëve si dhe me ndërrimin apo energjizimin e rrjetit të ri elektrik.

Ndër zonat që mbesin pa energji janë edhe: Qendra e Fushë-Kosovës, pjesë të Veternikut, Rezonanca, lagjja Qëndresa, një pjesë e Çagllavicës, kodrina e Muharrem Fejzës, Ministria e Administratës Publike, si dhe Graçanica te Varrezat.

Prizren

Në Suharekë dhe Prizren ndërprerjet do të ndodhin ndërmjet orës 09:00 dhe 14:00, kryesisht në zona rurale si Peqan, Bllacë, Duhel, Nishor, Kosterrc e Semetisht. Në qytetin e Prizrenit pa rrymë do të mbesin disa rrugë kryesore si “Bajram Curri”, “Xhevat Berisha”, “Mbreti Pleurat” dhe bulevarde me biznese e institucione.

Mitrovicë

Në Skenderaj, nga ora 10:00 deri në 16:00 do të ketë ndërprerje te objekti “Syla Group” dhe në rrugën “17 Shkurti”, për shkak të punimeve sipas pëlqimit elektro-energjetik.

Gjakovë

Në Rahovec ndërprerjet pritet të zgjasin nga ora 08:00 deri në 16:00 në fshatra si Bratotin, Drenoc, Nushpal, Pataçan, Senoc, Varjak e Zatriq. Këto punime lidhen me projekte investive dhe manipulime në ndarësit e tensionit të mesëm.