Edhe një shqiptar kryeministër në Ballkan, Dritan Abazoviq në Mal të Zi
Kuvendi i Malit të Zi votoi qeverinë e pakicës, në krye me Dritan Abazoviq.
Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor, theksoi kryeministri Abazoviq.
Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.
URA e Abazoviqit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.
Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviq, njëherësh edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.
Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviq, udhëheq gjashtë ministri.
Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes.
Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale.
Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviqin.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.
Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.
Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviq.
Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviq në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.