Prokurori i ri e cilëson ‘vrasje e rëndë’ rastin e Agonis Tetajt

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku e ka cilësuar rastin e Agonis Tetajt ‘vrasje e rëndë’, në seancën e sotme gjyqësore, raporton Express.

Këtë ai e ka arsyetuar me kërkesën urgjente për rihapje të shqyrtimit gjyqësor duke elaboruar edhe vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndryshe, prokurori paraprak në këtë rast, Agron Uka e kishte ricilësuar vrasjen e Agonis Tetajt, nga ‘vrasje e rëndë’ në ‘vrasje nga pakujdesia’.

Tetaj ishte qëlluar me armë zjarri nga Shaban Gogaj, djali i shefit të kompanisë ku punonte.

Pamje nga momenti i vrasjes ishin publikuar edhe nga familja e viktimës, e edhe avokati i të pandehurit. Familja kishte thënë se vrasja ishte e qëllimshme, e avokati e kishte cilësuar aksidentale.

Më pas, Gjykata kishte vendosur që ta rihap gjykimin ndaj të akuzuarit Gogaj, nën arsyetimin se ky rast është i nevojshëm të plotësohet me prova të reja.