Osmani ia dorëzon detyrën e u.d. presidentit Glauk Konjufcës

Vjosa Osmani ia ka dorëzuar pozitën e u.d. Presidentit kryetarit të ri të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tashmë do ta ushtrojë këtë pozitë deri në zgjedhjen e kreut të shtetit, shkruan Mediafokus.info.

Njoftimin e ka bërë nëpërmjet Facebookut Osmani.

Postimi i plotë:

Kryetarit të ri të Kuvendit, njëherësh U.D. President, z. Glauk Konjufca dhe Kryesisë së re të Kuvendit, u uroj punë të mbarë në udhëheqjen e institucionit më të lartë legjislativ e përfaqësues të vendit tonë.

Ishte nder i jashtëzakonshëm që përgjatë legjislaturës së shtatë të jem në krye të Kuvendit, tempullit të demokracisë dhe të punoj duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe duke rritur integritetin e transparencën në këtë institucion.

Dita e sotme, është realizim i vullnetit qytetar të shprehur me votë plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të gjitha deputeteve dhe deputetëve u uroj punë të mbarë, duke uruar që të jenë përherë të udhëhequr nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe të shërbejnë gjithnjë në shërbim të më të mirës për ta.

Na priftë e mbara!