Prokuroria e Gjilanit: Jemi duke u marrë intensivisht me rastin e Engjëll Smërqakut

Prokuroria Themelore në Gjilan i është përgjigjur me një sqarim protestës së sotme në lidhje me vrasjen e 19-vjeçarit Engjëll Smërqaku, e cila ka ngelur e pa zbuluar deri tani.

‘Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në mënyrë intensive kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, lidhur me ndriçimin e vrasjes së tani të ndjerit E.S., i cili është privuar nga jeta më 23 tetor 2020, në Gjilan, nga kryes deri më tani të panjohur.

Për hir të korrektësisë dhe njoftimit sa më të saktë të opinionit publik, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, që nga vrasja e të ndjerit E.S., e deri më tani janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e këtij rasti, deri në identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm’, thuhet në njoftim.