Prokuroria heton vrasjen e Shqiponja Isufit, bashkëshorti e ka pranuar krimin
Një 48-vjeçar me shtetësi zvicerane (shqiptar nga Maqedonia) është duke vuajtur burgun hetues, transmeton albinfo.ch.
Ai ka pranuar vrasjen e gruas së tij Shqiponja Isufi.
Në shtator të vitit të kaluar, policia pati gjetur të vdekur në banjën e saj 41-vjeçaren Shqiponja Isufi.
Një ditë më vonë, burri i saj qe arrestuar, shkruan aargauer Zeitung.
Shqiptarja nga Kosova mësohet se ka qenë viktimë e aktit të njohur si femicid, që ka bërë bujë në diasporën shqiptare.
Prokuroria publike ka konstatuar se bëhet fjalë për vrasje me dashje dhe e ka vënë 48 vjeçarin në mbajtje.
Hulumtimi i “Tages-Anzeiger” tani tregon se i fajësuari ka pranuar se ka vrarë gruan e tij. Tani ai po mbahet në burgun për hetime.
Zyra e prokurorit publik në Baden kishte hapur procedim penal për vrasje të qëllimshme në lidhje me krimin e dhunshëm – por tani ajo po heton për vrasje të rëndë, konfirmoi Adrian Schuler, zëdhënës i zyrës së prokurorit publik Aargau me kërkesë të gazetës.
Vrasja e rëndë ndryshon nga vrasja me paramendim me faktin që autori tregohet veçanërisht i paskrupullt gjatë kryerjes së aktit kriminal.
Dënimi minimal për vrasje të rëndë është dhjetë vjet burgim, ndërsa për vrasje me dashje ose me paramendim, minimumi pesë vjet.

