Prokuroria nis hetimet pas kërkesës së ministrit Vitia rreth çështjes së vaksinave

Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet pas kërkesës së ministrit Vitia rreth çështjes së vaksinave, ku dje portali “Insjaderi” publikoi një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave, gjë e cila u demantuar nga Vitia, dhe si pasojë i ka bërë thirrje Prokurorisë të veprojë ndaj portalit në fjalë.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se kushdo që tenton të dëmtojë procese dhe të cenojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve do të përballet me drejtësinë.

“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë.

Kujtojmë që portali Insajderi ka raportuar të premten se ‘të enjten, më 15 prill, ministri Arben Vitia është dashur ta nënshkruaj kontratën me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina. Këtë nuk e ka bërë. Për pasojë furnizimi me 500 mije doza vaksinash Pfizer pritet të shtyhet deri ne shtator.

Portali ka siguruar dosjen e komunikimeve dhe kontratën të cilat zbulojnë neglizhencën e shtetit për të finalizuat marrëveshjen.

Në dosjen e komunikimeve dhe negociatave mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe prodhuesve të vaksinës anti-Covid Phizer dhe BioNtch, përfshirë këtu edhe kontratën e ofruar nga kompania amerikane me të gjitha kushtet që duhet t’i përmbahet Kosova.