Prokuroria Speciale e fton Presidentin Thaçi për intervisitim

Prokuroria Speciale në Hagë ka bërë të ditur se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit si dhe ndaj ish 9 pjesëtarëve të UÇK’së.

Presidenti Thaçi sot ka bërë më dije se është ftuar për t’u intervistuar në kryeqytetin holandez. Atje do të udhëtojë të hënën e ardhshme.

Thaçi gjithashtu tha se Kosova edhe pse viktimë, ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë. E si rezultat i kësaj, shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosvoës, janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë dhe jashtë saj.

Tutje, presidenti ftoi qytetarët që t’i përballojnë këto sfida së bashku derisa shumë luftëtarë të UÇK’së do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.

Ai edhe njëherë kujtoi se besimi në institucione është e domosdoshme që Kosova të bëhet pjesë e NATO’s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të presidentit Thaçi.

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën! HTH