Protestuesit kërkojnë burgosje, shkarkime e dorëheqje për rastin e Arlinda Zekajt

Burgim për prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët që u morën me rastin e Arlinda Zekajt, gruas që u vra nga ish-kunati në Vitomiricë të Pejës të dielën, kanë kërkuar qytetarët që protestuan në ditën e katërt në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

Protestuesit po ashtu po kërkojnë shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Në mesin e protestuesve ishte edhe një qytetarë që mbante një pankartë me të cilën kërkohej shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren tashmë të suspenduar të Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit, Suada Rama-Hamza, kryetarin e Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukajn dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë.

Po ashtu si pikë e dytë është shkarkimi i Sveçlës, Gërvallës dhe dorëheqja e Muhaxherit.

Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga qytetarët kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në fund drejt ndërtesës së Qeverisë.