Pse e bojkotova konventën zgjedhore të PDK-së
Gani Neziri
Bojkoti i mbledhjeve politike është politika më e ulët që mund ta bëjë një politikan. Bojkoti është vetëpërjashtim. Pra, faji je ti vet!
Këtë “ultësi”, fatkeqësisht, sot e bëra unë. Bojkotova konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së që sot mbahet në hotelin “Emerald”. Ç’është e vërteta, nuk arrita ta përballoj dot.
Nuk arrita të përballoj faktin që një parti e madhe siç është PDK-ja, brenda saj të garohet veçse me një kandidat për kryetar.
Madje, pa programin publik se si do ta organizojë PDK-në e “re” dhe atë, njëzet vjet pas lufte.
Kurrë nuk më kanë pëlqyer bojkotet politike. Këtë fakt e dinë të gjithë politikanët e të gjitha partive në Gjilan. Gjithsesi, më së miri e di partia ku funksionoj unë.
Ja që në politikë paska momente që të “detyrojnë” bojkotin. Por, një gjë dihet: Aty ku nuk je Ti, fiton Ai që është kundër teje.
Nuk qenka e thënë kot: Çdo gjë ka një përjashtim.
Pas krejt kësaj, unë nuk ndjehem keq për këtë bojkot. Nuk pranoj të bëhem pjesë e servilëve dhe lajkave politike.

