Pse e lëshojmë vendin?
Daut Dauti
Para pak vitesh, kur në stacionin e Shkupit po e perisja autobusin për Stamboll, takova një grup të rinjsh nga Shqipëria. Pamja e tyre ishte si e njerëzve të pastrehë (homeless).
Endeshin kot në kërkim të destinacionit të panjohur. Dukeshin si zogj shtegtarë të plagosur që nuk ua merr mendja të fluturojnë.
Mezi i binda të bisedonin me mua. Ishin njerëz të hidhëruar, nervozuar dhe shqetësuar me tërë botën.
E shanin dhe e mallkonin qeverinë, vendin, kombin, fatin, veten e tyre…
Kurrë nuk kisha parë njerëz më të dëshpëruar. Gjendja e rëndë dukej sikur që i kishte futur në rrugën e çnjerëzimit.
Shpesh ia bëjë vetes një pyetje: sikur sot të isha në Kosovë dhe sikur ta kisha këtë eksperiencë dhe njohuri për jetën e emigrantit, a do ta lëshoja vendin, sikur që e kam lëshuar para më shumë se tri dekadave? Nuk e di përgjigjen.
Por, e di që gjenerata ime është largur nga Kosova për shkaqe politike, por edhe ekonomike, si pasojë e të parës.
Janë larguar për t’i ikur diskriminimit dhe rrezikut për jetën.
Sot ekziston një arsye tjetër që njerëzit largohen. Ajo është varfëria dhe mungesa e shpresës për të ardhme të dinjitetshme.
Nëse arsyeja e ikjes nga diskriminimi dhe ajo e ikjes nga varfëria vendosen në peshojë, duket se asnjëra nuk e mund tjetrën.
Janë të barabarta për shkak se, duke e mbyllur prospektin e ardhmërisë, që të dyja e rrezikojnë jetën.
Njerëzit sot ikin për shkak se elita e tyre politika ua ka vra shpresën. Ikin për shkak se nuk gjejnë punë.
Ata që janë të punësuar, ikin për shkak të keqtrajtimit dhe eksploatimit nga oligarkët e stërpasuruar.
Ikin nga mediat e qoroditura, nga mungesa e sistemit arsimor dhe shëndetësor … Ikin nga gjithkush.
Të gjitha këto e kanë shkatërruar esencën e funksionimit dhe kushtin e përparimit, atë që quhet ‘fabrikë sociale’.

