Pse historia e gruas është shumë e rëndësishme për shoqërinë

Vana Jerliu Ramadani

Të tregosh për historinë e gruas në shoqërinë tonë, është një ndër gjërat më të rëndësishme. Por shtrohet pyetja sa jemi mendjehapur dhe sa jemi të gatshëm për të dëgjuar një histori gruajeje, pa e paragjykuar atë?

Këtë pyetje duhet t`ia bëjmë të gjithë vetes tonë dhe ta pranojmë se kemi nevojë të flasim për një temë të tillë.

Duke u bazuar në media sociale, në emisione të ndryshme, kuptojmë se shumë pak femra flasin të vërtetën se si kanë arritur aty ku janë, duke përfshirë edhe vështirësitë. Zakonisht tregohet ana e mirë, e lehtë dhe rrallë mësojmë gjithë të vërtetën e historisë së një gruaje.

A kanë gratë frikë nga paragjykimet të tregojnë të vërtetën, nga keqkuptimet dhe droja se mund të nënvlerësohen, kur në fakt duhet të respektohet historia e grave dhe të përdoret për të mirën e shoqërisë?

Këtë pyetje ia bëjë vetes time shpesh, sigurisht me ndjenjën se dua të dijë edhe më shumë për historinë e gruas shqiptare.

Sa jemi të guximshme të shprehemi dhe të tregojmë edhe vështirësitë, është zor të kuptosh, se në fakt gruaja shqiptare është grua e guximshme historikisht. Pse pra i gjithë ky hezitim?

Një pjesë të fajit e mbajmë vet ne, sepse nëse nuk thyejmë akullin në këtë aspekt, atëherë shoqëria jonë mbetet e tillë dhe është vështirë të ndryshohen gjërat.

Duke e njohur historinë e gruas, shoqëria përfiton më shumë. Efektet pozitive janë të shumta, duke filluar nga vajzat e reja, të cilat ndihmohen rritjen e vetëbesimit, varësisht vështirësive e, deri te çdo grua, e cila mund të arrijë qëllimin e vet.

Por jo vetëm vajzat, po edhe gratë së bashku më gjininë mashkullore mund të përfitojnë nga tregimet e historisë së grave.

Më duhet ta përmend se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë tregimin e tjetrit, nëse duam të njohim një person më mirë. Kjo ndihmon në rritjen e respektit, në minimizimin e nënvlerësimit, inateve, xhelozive dhe na nënë që të jemi më të ndjeshëm në raste të caktuara.

Pra, më lart përmenda vetëm disa benefite që mund të ketë shoqëria jonë kur gruaja ndanë historinë e saj me të tjerët, por në fakt ka edhe shumë efekte pozitive që nuk kam përmendur.

Personalisht kam pasur fatin të jem në mesin e grave të ndryshme dhe të dëgjoj histori të ndryshme, interesante, andaj përpos që kam mbetur e fascinuar nga tregimet e tyre, gjithnjë kam mësuar diçka të re.

Këtu në SHBA, ku jetoj, kam pasur mundësinë të marr pjesë në shumë takime të ndryshme, seminare, trajnime, konferenca, ahengje dhe ajo që më pëlqen këtu është se njerëzit flasin për historitë e tyre me shumë krenari, duke filluar nga vështirësitë, sukseset, dëshpërimet, humbjet, ngritjet, vuajtjet dhe kjo ndihmon shumë, sepse duke treguar historinë e tënde, ti përcjell mesazhe të veçanta te gjeneratat tjera.

Po thuajse çdo herë kur dëgjoj tregime të tilla, më bënë të mendoj për historinë e popullit tim dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata që janë të njohur për publikun, por për të gjitha gratë, duke filluar nga ato që kanë shumë role, nënat, bashkëshortet, motrat, shoqet etj. Për atë gruan që zgjohet herët në mëngjes dhe fillon ditën duke menduar se si të jep kontributin saj, qoftë në familje apo shoqëri.

Jam e bindur se secila grua shqiptare, ka një histori të pasur për ta ndarë me dikë, por mungon një guxim i tillë tek një pjesë e madhe e grave tona.

Më duhet të jem e sinqertë se edhe unë shpesh kur flas për veten time, më bëhet sikur i aktivizoj trupat mbrojtës psikologjik, që të kem sa më shumë kujdes se çfarë them në publik, edhe pse pothuajse gjithnjë jam e sigurt se një tregim i tillë është shumë në rregull për ta treguar.

Andaj sot kam vendosur ta tregoj publikisht një tregim publikisht, për hir të muajit mars, muajit të historisë së gruas, me shpresë që mund të ketë efekte pozitive te ndonjëra prej atyre që e lexon.

Kur kam filluar shkollimin në SHBA, në semestrin e parë në nivelin Bachelor, aq vështirë ka qenë për mua, saqë mendoja si ta kryej shkollën e lartë, edhe pse kisha bërë plane të vazhdoj tutje deri ne shkallën Master.

Më kujtohen ligjëratat e psikologjisë, sa shumë vëmendje me duhej për të kuptuar mirë materialin. Por, për një gjë isha e sigurt dhe e përbetuar, se nuk kisha ndërmend të dorëzohesha asnjëherë.

Vazhdova tutje dhe në fund të semestrit të gjitha notat e mia ishin dhjetëshe, sepse kisha punuar aq shumë, sigurisht nga frika se mos po më kaplonte ndjenja e dorëzimit. Sikur punova që ta bind veten se mundem dhe sinqerisht, kjo më ndihmoi shumë të vazhdoj tutje.

Asnjë herë nuk ka qenë e lehtë, por me vullnetin e madh, duke përfituar çdo ditë e më shumë rritje akademike, mbërrita aty ku kisha planifikuar.

Shpesh mendoja për atë semestrin e parë sa i rëndësishëm ka qenë për mua, s ai përket vendimmarrjes për të vazhduar tutje shkollimin në gjuhën angleze dhe tani e respektoj shumë atë periudhë të jetës sime edhe pse nuk ka qenë e lehtë.

Nga ky tregim imi kanë përfituar shumë njerëz që më njohin, duke filluar nga fëmijët e mi, sepse rruga ime ka qenë një lloj inspirimi për ta, ashtu sikur unë që jam inspiruar nga tregimet e nënës time, jeta e saj në një fshat në rrethinën e Gjilanit, vështirësitë, dëshirat dhe puna e saj.

Atëherë kushtet e jetesës ishin ndryshe nga sot dhe varësisht jetës së mundimshme, ajo ka qenë shumë e lumtur me jetën e saj, aty ku është lindur dhe ka jetuar, derisa është martuar.

Tregimet e saj më kanë shërbyer gjithnjë pozitivisht që të mos dorëzohem kurrë përballë sfidave dhe vështirësive në jetë.

Një grua që jeton afër meje, por nuk kemi mes vete më shumë se një përshëndetje, në ditën e parë të këtij muaji, kur u takuam u ndal dhe më tha se donte të më tregonte për profesionin e saj për hir të muajit të historisë së gruas.

Po e dëgjoja me shumë vëmendje teksa më tregonte se për pesëmbëdhjetë vite me radhë kishte gatuar ëmbëlsira për t`i shitur në kishë, në evente të ndryshme, për të pasur mundësinë që t`i ndihmonte dy fëmijët e saj në shkollim, në fund me fytyrën e buzëqeshur tha se ia kishte arritur qëllimin dhe kjo ishte krenaria e saj.

Isha jo vetëm e impresionuar, por edhe shumë e lumtur që ajo ndau tregimin e saj me mua, edhe pse nuk njihemi shumë dhe që kishte arritur qëllimin që kishte dëshiruar.

I thashë se po ndihesha e veçantë që kisha mundësinë të dëgjoj një tregim të tillë dhe e falënderova disa herë “ Thank you, thank you, thank you..”

Uroj për çdo grua që rrugëtimet në jetën e tyre t`i kenë sa më të lehta dhe me momente të lumtura dhe krenarie. Njashtu, uroj që gratë të tregojnë historinë e tyre me krenari, sepse çdo tregim i gruas ka një histori të veçantë, është më shumë se një mesazh për shoqërinë.

……………………………………..

(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)