Pse qante Pajazit Nushi

Vehbi Kqiku

(Përkujtim i demonstratave të vitit 1981)

Ishte një takim spontan rreth orës 23:00 të 11 marsit të vitit 1981, tek kryqëzimi i madh te mensa e studentëve, ku unë isha s`bashku vet i treti në atë trekëndëshin e vogël i cili shpie në të djathtë të qytetit.

Në atë moment, edhe sot pas 44 viteve nuk më kujtohet se nga erdhi nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kosovë, Pajazit Nushi, si i vetëm, kur një pjesë e studentëve po ktheheshin nga marshi i protestës prej qendrës së qytetit kah fakulteti filozofik, në drejtim të mensës së studentëve, me brohoritje kulminante që gjëmonte i tërë qyteti, kurse pas tyre me gjuajtje dhe sharje, policia e Kosovës.

Kur e ktheva kokën në të majte pashë lotët e Pajazit Nushit të cilët rridhnin në ato faqet e plota të tij.

Ne tre kolegët e momentit që as sot kurrë nuk e di se kush kanë qenë, u shtangëm kur e pamë Pajazit Nushin në atë gjendje. Pas lotëve filloi të qante me zë dhe na tha “Or djema nuk po e dini se çka do t`ju ndodh’’.

Nuk më kujtohet të kishte kërkuar që të shpërndaheshin demonstruesit.

Edhe sot, plot pas 44 viteve, kurrë nuk e harroj atë moment.

Në bisedë e sipër erdhi lajmi se policisë së Kosovës iu ka bashkangjitur edhe policia serbe e cila aq shpejt kishte ardhur nga Serbia.

Për këtë e kishte pasë fjalën Pajazit Nushi.

Në brohoritje e sipër, gjendja veç sa po keqësohej. Filloi me të madhe gjuajtja në mes të studentëve dhe policisë.

Ende Pajazit Nushi po vërvitej me masën e studentëve. Dikush prej pjesëmarrësve i tha largohu se po dëmtohesh.

Në të njëjtin moment ktheu përgjigjje “O nuk kam ku me shku’’.

Edhe sot pyes veten se ku shkoi Pajazit Nushi….

Deklarata e djeshme e Kryeministrit të Kosovës më nxiti që ta postoj këtë shkrim, i cili tha “Brezi i demonstratave dhe studentëve të vitit 1981 ishte shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Si pjesëtar i demonstratave të viti 81, i përjashtuar prej studimeve për një vit, i arrestuar dhe i burgosur për kundërvajtje, si pjesëtar i forcave të armatosura të Kosovës (FARK), si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ende kurrë në jetë nuk kam aplikuar dhe kërkuar për t`u kompensuar, në të kundërtën edhe sot kontribuoj me të madhe në plotësimin e buxhetit të shtetit dhe vetëm habitem se nga rrjedh gjithë kjo urrejtje kundër UÇK-së.