Puka ekziston edhe në Kosovë, ajo ndodhet në rajonin e Gjilanit

Izeir Hyda

Pogragja është kryesisht vend malor me një sipërfaqe relativisht të vogël të tokës së punueshme, krahasuar me fshatrat e mëdha të komunëss së Gjilanit.

Shumica e emërtimeve të maleve, kodrave, luginave, fushave, arave të Pogragjës janë emërtime të vjetra në gjuhën shqipe. Po i veçojmë disa emërtime ‘mikrotoponime’ të arave të mbjella me kultura bujqësore siç janë: Ara mas kalasë, Capari, Selishta, Arat ‘Te rrethi’, Sazi, Lugu i Hoxhës, Arat binjake, Podi, Jaruga, Skuta, Zallina, Traja, Ara Pukë, Fundija etj.

Parcelat e arave të Pogragjës kanë sipërfaqe të vogla dhe rrallë ndodh që ndonjëra nga këto e kalon madhësinë e një hektari. Kështu, disa ara të një rajoni emërtohen me të njëjtin emër. Por, shpesh ndodhë që pronari i arës emërtimin e kthen në njëjës si Arat Pukë – Ara Pukë.

Pikërisht, në kilometrin e dytë, në anën e djathtë të rrugës Pogragjë-Dobërqan, shtrihen disa ara që ne i quajmë ‘Ara Pukë’ toponim që ruhet edhe sot.

Pra Pukë – Puka është emërtim karakteristik i këtyre arave, shumë i vjetër dhe ndoshta i vetmi në komunën e Gjilanit.

Vende e vendbanime me emrin Pukë – Puka gjenden më së shumti në veri të trojeve shqiptare.

Para katër shekujsh e hasim te Frang Bardhi në ‘Relacionet…’ mbi gjendjen e Shqipërisë (1634-1650).

Puka sot është një qytezë shumë e bukur, një vend turistik, ndër më të bukurit në Shqipëri, por ne akoma e kujtojmë si Puka e Migjenit ku ai punoi mësues në vitin 1936-1937

Emri Pukë është shumë i vjetër dhe sipas shpjegimeve Pukë do të thotë ‘udhë-kalim, Via publika, Pult ku kanë jetuar Pirustët.

Ky emërtim shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë Veriore, Rrethi i Shkodrës në Dukagjin dhe sipas studiuesve të shumtë Puka është Dukagjini i sotëm.

Pyetjes se deri ku shtrihet ky emërtim i veçantë në hapesirë dhe kohë, sipas albanologut të njohur Eqrem Çabej…’ i japin gjer diku edhe emërtimet: Pukajt në Buzhalë, Hija e Pukës në Qerret, Puka në Livrushk, në Qafë Pukë, në Dom t’Mirditës, te Guri në Koman’ etj.

Këtyre toponimeve me emrin Pukë – Puka po i shtojmë edhe ‘mikrotoponimin’ e arave të Pogragjës Ara Pukë – Arat Pukë.

Arat e Pukës në Pogragjë janë skaj rrugës, rruga që i ndan këto ara me arat e Trajes – Trojes – Troje (një emërtim shumë i vjetër), supozohet se ka qenë vendbanim në të kaluarën.

Ara Pukë – Arat Pukë emërtim shumë i vjetër që ruhet edhe sot.

(Foto e Arave Pukë në Pogragjë dhe e bukurive natyrore të Pukës së Shqipërisë).