Puthi kafkën e Adem Jasharit, rrëfimi emocionues i mjekut ligjor

Mjeku dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka kaluar nëpër duar mijëra kocka nga varrezat masive në Kosovë.

Në një rrëfim emocional për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar punën që ka bërë gjatë këtyre 24 viteve, duke theksuar momentet më të vështira kur i jepte lajmin familjarëve që një personi të afërm të tyre i janë gjetur eshtrat.

Më tej, mjeku tregoi momentin emocionues kur kishte pastruar trupin e Adem Jasharit, prej të cilit kishte marrë një dhëmbë dhe disa qime floku.

Sakaq ai bëri të ditur se kishte humbur 33 pjesëtarë të familjes, kushërinj dhe djem të axhallarëve.

“Të gjitha një nga një i kemi pastruar, i kemi larë, ato pjesët kockore me kujdesin më të madh, si të themi me një emocion të thellë. Me komandantin kam punuar rreth 7 orë dhe kur erdhi fundi që ta kompletojë, njeriu ka 206 pjesë kockore dhe e ktheva në pozitën anatomike, për ta futur në arkivol. Edhe kafka mbi ajo e fundit, edhe ishte një emocion që t’ju them të drejtën që nuk e di as vetë se si ka ardhur prej thellësisë së shpirtit tim me siguri. Thjesht kam qenë i emocionuar aq shumë sa që ndoshta nuk isha vetja. Pas 18 vitesh unë i shikova ato video-kasetat se kemi diku 15 mijë fotografi që kemi bërë dhe 13 ditët e punës kanë qenë të xhiruara dhe i kam këto filmimet e punës. Edhe kur e bëmë një dokumentar, me thënë të drejtën dhe unë e pash për herë të parë pas 18 vitesh”, tha Gërxhaliu./abcnews.al