Pyetja e dietologes për ju: Sa magnez morët sot?
Mungesa e magnezit lidhet me inflamacionet në trup dhe niveli i lartë i CRP. Në ditët e sotme, mangësia e magnezit është një problem i madh, thotë dietologia e njohur shqiptare, Diola Dosti.
Arsyeja është e thjeshtë, shton ajo.
Ne sot marrim një dietë të varfër me magnez, shumë të përpunuar, të rafinuar, e bazuar kryesisht në përdorimin e miellit të bardhë, mishit dhe produkteve të qumështit (të varfra në magnez).
Për të kuptuar sa magnez merrni çdo ditë, pyesni veten kur ka qenë hera e fundit që keni ngrënë produkte deti, arra, perime jeshile dhe thjerrëza?
Jo vetëm kaq, por nivelet e magnezit ulen nga konsumi i alkoolit, kripës së shtuar, kafes, acidit fosforik në pije freskuese të gatshme, stresi, diarreja kronike, menstruacionet e zgjatura, diuretikët, antibiotikët dhe parazitët në jashtëqitje, thotë Dosti.
Sa magnez morët sot, pyet ajo.

