Qazim Bugunovci, ballisti që nuk pranoi t`ia lidhin sytë kur e pushkatuan

Bekim Ilaz Bajrami:

Qazim Selmani – Bugunovci, ballisti i Malësisë së Zhegocit e kishte në damarë urrejtjen e përhershme ndaj armikut që po digjte çfarë po gjente përpara.

Rrugë tjetër nuk gjeti dhe iu bashkua brigadës së Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, që me forcë po e luftonin “sistemin e ri”, me djemtë më të mirë të Kosovës e që jatak patën Drenicën.

Nuk iu nda për asnjë çast luftës. Gdhihej dhe errej me pushkë në krahë.

Kjo familje dha shumë për liri, ishte shtyllë e luftës për çlirimin, që shqiptarët e kishin nisur herët dhe nuk e ndalën kurrë deri në fitore.

Qazim Bugunovcin e pushkatuan pa gjyq, në moshën 30-vjeçare, si ballist i Brigadës të Shaban Polluzhës, në janar të vitit 1945.

Natyrisht që ne nuk kemi pas fatin me e takua fizikisht, sepse atë e pushkatuan herët, në moshë të re, por ai la pas dy djem, trashëgimtarë, Ilaz Bajramin dhe Isuf Bajramin.

Sipas atyre që e kanë njohur dhe takuar, Qaza kishte lënë nam të madh në këto anë dhe trojet shqiptare, duke vrarë shumë armiq e shumë tradhtarë.

Për armiqtë, Qazim Bugunovci ishte bërë një tmerr i vërtetë, sa luteshin të mos e takonin atë sepse e kishin frikë

Si ballist, kur i lind djali i dytë, Isufi, komandanti Shaban Polluzha i thotë shko te familja dhe gëzoju asaj pushke dhe Qaza me bekimin e komandantit merr rrugën për në Vërbicë të Zhegocit (komuna e Gjilanit).

Në ato ditë, çetnikët dhe partizanët kishin sulmuar vrullshëm rajonin e Drenicës dhe brigada e Shabanit ishte e rrethuar dhe komplet Drenica ishte vënë nën rrethim dhe Qazës iu pamundësua me iu bashkëngjit shokëve.

Dhe pasi që nuk arriti të kthehet në brigadën e Shabanit, atëherë Qazimi iu bashkëngjit brigadës së Hysen Tërpezës, me të cilin lanë nam në front kundër armikut serb.

Pas largimit të gjermanëve, pushtetin e morën sllavët dhe shqipfolësit e asaj kohe, Qazimin e donin të vdekur.

Qaza nuk kishte më siguri as në Verbicë, as në Bresalc e as në Kosovë askund.

Kishte tentuar të largohej drejt Shqipërisë dhe gjatë rrugës ishte ndalë te disa kushërinj në Plitkoviq, për të marrë pak ushqim me vete, sepse kishte rrugë të gjatë dhe të mundimshme për të bërë.

Atë natë Qazimi kishte buajtur aty, sepse e gjithë familja dhe i gjithë fisi e donte. Qaza nuk ua prish qejfin dhe ndalet për të kaluar natën me kushërinj, por dikush nga tradhtaret e kombit e kishte hetuar dhe i kishte lajmëruar aradhet partizane-çetnike, të cilat i vunë rrethimin.

Krejt kushërinjtë i kishin pas thanë: Qazë, po luftojmë bashkë me ty se s`ka bir nëne që të lë në dorë të shkaut, por ai si ballist që ishte, nuk pranoi të sakrifikoheshin fëmijë, gra e pleq. Ai e dinte se serbët nuk kishin rahmet dhe do t`i vrisnin të gjithë.

Këtë nuk mund t`ua bënte kushërinjve.

“Adem, boll më ke mbajt me bukë e boll ke heq zahmet prej meje e nuk po muj edhe këtë me ta ba. Në fund të fundit, boll kam vra e nuk po du fëmija me pa trishtim me sy. Nuk po muj me të djeg për të gjallë se borxh nuk ma ki”, i thotë Qazimi.

Pra ai e dinte se betejën e kishte të humbur dhe nuk deshi viktima nga farefisi i tij dhe kështu me vetëdije shkoi drejt pushkatimit.

I thanë që me ia lidh sytë, por Qaza ua priti: “Dua me ju pa se a po jua mban me më pushkatua”.

I thanë me ua kthye shpinën, por Qaza i kundërshtoi: “Nuk ia kthej kurrë shpinën armikut”.

Dhe ranë rafalët. Qazim Bugunovci ndërroi jetë ballëhapur.

Çetnikët nuk i lejuan familjarët që ta varrosin, por e groposën vet aty pranë varrezave të fshatit, duke e mbuluar me dhe vetëm 50 centimetra (kjo është konstatuar gjatë zhvarrimit të eshtrave, në vitin 1999).

Dhe çetnikët, nën udhëheqjen e partizanëve i burgosen të gjithë meshkujt që ishin prezent ditën e pushkatimit të Qazim Bugunovcit.

I kanë torturuar jashtë mase. Disa vdiqën fill pas lirimit nga burgjet, shkaku i rrahjeve brutale, e disa migruan në Turqi nga frika prej persekutimit çnjerëzor që kishin përjetuar.

Familjes së Qazës ia dogjën shtëpinë, ia morën të gjitha arat dhe malet që ishin në pronësi të tij.

Terror i paparë. Djemtë e Qazim Bugunovcit (mbiemrin e kishte nga fshati Bugunovc, në rrethinën e Medvegjes, prej nga ishin detyruar të largoheshin në vitin 1875 prindërit e Qazim dhe Bajram Bugunovcit) ishin të vegjël, Ilazi 3 vjeç, Isufi 1.5 vjeç, ndërsa nëna Sylhanja vdiq 6 muaj para pushkatimit të gjyshit Qazim Bugunovci.

Ilazi dhe Isufi u rriten në Bresalc, te daja Sahit Abazi (edhe ky një ish-ballist që kishte vuajtur gjatë në burgjet jugosllave).

Ata nuk kishin mundësi me kërkua varrin e babës, sepse mbaheshin nën vëzhgim nga serbët dhe tradhtarët.

Daja ishte në burg dhe nuk kishte mundësi t’u tregonte varrin e Qazim Bugunovcit, prindit të tyre.

Zyra e vendit e asaj kohe në Parallovë, me kërkesën e Ilazit, ia lëshon vërtetimin se Qazim Selmani-Bugunovci është pushkatuar nga Ushtria Nacional Çlirimtare Jugosllave si dhe iu ka djegur shtëpia e i është konfiskuar pasuria. Ky vërtetim është lëshuar më 11.01.1977 në Parallovë.

Gjatë gjithë jetës, prindi im Ilazi dhe xhaxhai Isufi u përballen me lloj-lloj situatash e persekutimesh nga pushteti serb dhe asnjëherë nuk gëzuan ndonjë vend të punës, bile bile djalit të madh të axhës Isuf, i cili e ka përtërirë emrin e Qazim Bugunovcit (Qazim Bajrami) nuk iu lejua as shkollimi për oficer në armatën jugosllave (edhe pse ishte shembullor që nga klasa e parë) me arsyetimin se është nip ballisti.

Dhe pas përfundimit luftës së fundit në Kosovë, më 1999, ne kërkuam vazhdimisht për varrin e tij dhe patëm shumë problem ta gjenim, sepse kishin kaluar 54 vite dhe të pakët ishin ata që kishin mbajtur  në mend se ku ishte varrosur Qazimi.

Për kaq vite, Serbia nuk kishte lejuar as të përmendej emri Qazim Selmani-Bugunovci.

Një kushërirë e jona, e cila jeton në Stamboll (dëshmi e depërtimit të fisit tonë, pas pushkatimit të Qazimit) megjithëse në moshë të shtyrë, përmes fotove të varrezave në Plitkoviq, na tregoi se cili është varri dhe na dha një detaj për Qazimin, duke treguar se ka pasur një dhëmbë të arit (dukatit).

Filluam gërmimet aty ku na tha kushërira dhe pas 20 minutave gërmim të lehtë, jo më thellë se 50 centimetra, hasëm në eshtrat e tij.

Them eshtra të tij, sepse gjetëm dëshmi si dhëmbi i arit, pulla të xhamadanit, katrama të rripit, fije të tirqve, vrima nga plumbi në kafkë.

E zhvarrosëm me lot, sepse nuk kishte më rëndë sesa me e pa Ilazin dhe Isufin duke i marrë eshtrat e këmbëve të Qazës e duke i krahasuar me këmbët e tyre, vetëm e vetëm për ta parafytyruar se çfarë gjatësie kishte baba i tyre, gjyshi im.

U varros në varrin e njëjtë, por tash pa lot, sepse Qazim Selmani-Bugunovci nuk i kishte dashur asnjëherë lotët. Ai e kishte dashur lirinë më shumë se jetën.

Sot varri i tij është simbol i lirisë së Anamoravës, është udhërrëfim se si duhet me u dashtë vatani e shteti. Emri i Qazim Selmanit është i gravuar në përmendoren e dëshmorëve dhe martirëve në Gjilan.

Falë luftës së vazhdueshme, brez pas brezi, ne sot gëzojmë lirinë. /Mediafokus.info