Qendra Emergjente e Gjilanit po vlerësohet model në nivel Republike

Qendra Operative Emergjente dhe Komiteti për emergjencat në shëndetin publik kundër Covid-19 në Gjilan, të themeluar më 13 mars nga ana e kreut Komunës, Lutfi Haziri, po vlerësohen si model në nivel të Republikës së Kosovës.

Rabit Murseli, komandant i Njësiti Profesional të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan, ka thënë për Mediafokus.info se kudo që ka shkuar nëpër institucionet qendrore, ka parë vlerësim në superlativ për këtë Qendër.

“Qendra Operative dhe Komiteti për emergjencat, është bërë konform sistemit të integruar të menaxhimit të emergjencave dhe planit të reagimit kombëtar. Me të gjithë akterët në nivel qendror që kam pasur kontakte, e kanë shprehur impresionimin me funksionimin dhe menaxhimin e situatës kundër ovid-19”, ka thënë Murseli, për Mediafokus.info.

Murseli ka theksuar se sipas planit të reagimit kombëtar, synohet që emergjencat të menaxhohen në nivelin më të ulët juridiksional.

“Kjo ka ndodhur fal lidershipit të kryetarit Lutfi Hazirit, i cili  e ka themeluar këtë Qendër dhe po e menaxhon situatën në mënyrën më të mirë të mundshme për të mos eskaluar”, ka thënë Murseli, i cili është i diplomuar në fushën e sigurisë.

Në fazën e parë të menaxhimit, Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë, ka nisur mbulimin e pikave kufitare të kontrollit që prej 22 shkurtit, edhe atë në Dheun e Bardhë, Myçibabë dhe Stançiq.

Në Qendrën Operative Emergjente dhe Komitetin për emergjencat në shëndetin publik kundër Covid-19 në Gjilan, përpos institucionit të Komunës me të gjithë resorët, janë përfshirë edhe policia, zjarrfikësit, Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, Spitali i Përgjithshëm dhe Kryqi i Kuq, ndërkaq në mbështetje po u del edhe sektori privat.

Ndryshe, Qendrën Operative Emergjente dhe Komitetin për emergjencat në shëndetin publik kundër Covid-19 e udhëheq Lutfi Haziri, në cilësinë e kryeshefit, ndërkaq, nënkryetari Arbër Ismajli menaxhon operacionet kundër pandemisë./Mediafokus.info/