Qeveria e Kosovës ndanë 12 milionë euro për subvencione në bujqësi

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme online, ka ndarë  10 mijë euro për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Mal të Zi. 

Qeveria, sipas njoftimit që ka bërë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka ndarë 200 mijë euro për Komunën e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet, si dhe 12 milionë për Ministrinë e Bujqësisë.

Postimi i plotë i tij:

Qeveria në detyrë vazhdon të kryejë me përkushtim detyrat që burojnë nga mandati i sajë. Në takimin online Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimesh, midis tyre:

– 10 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuare nga vërshimet në Mal të Zi.

– Me 200 mijë euro do të ndihmohet Komuna e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet.

– Qeveria ka ndarë 12 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për subvencione dhe transfere.

– Qeveria ka autorizuar Klinikën e Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me MPMS-në dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.