Qeveria e re në Mal të Zi, me kryeministër dhe dy ministra shqiptarë
Dritan Abazoviq, i mandatuar për formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi, nuk do të jetë shqiptari i vetëm në ekzekutiv, sepse në përbërje të tij pritet të jenë edhe dy ministra nga kjo përkatësi etnike.
Kreu i Lëvizjes Qytetare URA tha se asgjë e rëndësishme në lidhje me formimin e qeverisë së pakicës nuk do të ndodhë para përfundimit të zgjedhjeve lokale në Berane dhe Ulqin, më 27 mars, shkruan Al Jazeera.
Abazoviq tha se Kryesia e URA-s është caktuar me qëllim të analizimit të aktiviteteve të rregullta që ka partia lidhur me zgjedhjet lokale dhe qeverinë e pakicës që pritet të formohet shpejt.
Ai tha se vendimet që e presin qeverinë e pakicës janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër.
“Do të mundohemi të jemi gjithëpërfshirës, ky është obligimi ynë”, ka theksuar Abazoviq.
Ai deklaroi se në qeverinë e re nuk do të ketë njerëz që “të gjithëve do t’iu pëlqejnë”.

