Qeveria po shkel të drejtat e pensionistëve, paralajmërohet padi ndaj Ministrisë së Financave
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lidhja e Organizatave Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, kanë akuzuar qeverinë e Kosovës se janë duke e shkelur ligjin dhe të drejtat e qindra-mijëra pensionistëve, duke mos ua rritur pensionet në bazë të përllogaritjes së kostos së jetesës dhe përshtatjes me inflacionin, shkruan EkonomiaOnline.
Përveç tetë mijë padive individuale që pensionistët kanë bërë ndaj shtetit si shkak i kësaj çështje edhe IKD-ja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapat ligjorë që ta padisë Ministrinë e Financave edhe qeverinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për mos zbatim dhe mos veprim sipas ligjit.
Hulumtuesi i lartë në IKD Naim Jakaj, ka thënë se si qeveritë e kaluara edhe qeveria e tanishme nuk i kanë respektuar dy ligjet të cilat rregullojnë çështjes pensionale.
Ai ka thënë se shteti me mos zbatimin e ligjeve është duke cenuar të drejtat e mbi 149 mijë pensionisteve të cilët marrin pensionin bazik të moshës si dhe të drejtat e 49 mijë pensionistet e tjera të cilët e marrin pensionin kontributdhënës./EO

