“Luajtja bixhoz me aleancat”, Kurti pyetet nga gazetarët për deklaratën e Osmanit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është pyetur sot nga gazetarët se si e ka parë deklaratën e presidentes, Vjosa Osmani, e cila javën e kaluar ka thënë se aleancat duhet ruajtur, dhe se luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë.

Kurti ka thënë se ai ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, sa i përket politikës së jashtme, duke shtuar se nuk ka sfidë që nuk mund të tejkalohet, transmeton Telegrafi.

“Kam qenë në komunikim edhe me Osmanin dhe me Konjufcën sa i përket politikës së jashtme. Besoj të arriturat i kemi të përbashkëta, të gjitha sfidat, nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë dhe gjendja në veri, kurrë nuk ka qenë më mirë. Ka siguri, zhvillim dhe demokraci”, është shprehur ai.

Ndryshe, presidentja Osmani adresimin e saj vjetor, theksoi se politika e shtetit duhet të pasqyrojë interesat afatgjata të Kosovës dhe jo ato të përkohshme që janë të lidhura me fushatat zgjedhore.

Presidentja ka shtuar se gjatë mandatit të saj ka punuar me ngulm të forcimit të shtetësisë tonë, ruajtjes së alancave.

Osmani bëri thirrje për ruajtjen e partneriteteve strategjike, duke theksuar se “Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhje”./Telegrafi/