Humbi kontrollin e veturës dhe ra në humnerë, vdes një grua
Një grua ka vdekur mëngjesin e së premtes pasi ka humbur kontrollit e veturës dhe ka rënë disa metra në humnerë në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit, saktësisht te vendi që njihet si “Kulla me qeshmë”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt Kanun Veseli për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk dihet ende se në çfarë rrethana ka ndodhur aksidenti.
Ju njoftojmë se me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani Elezit, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshmë” , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë. Ekipe të policisë, zjarrëfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para mësohet se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në magjistralen Kaçanik – Hani Elezit, në rrethana ende të pasqaruara ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra. Si pasojë e këtij aksidenti një person e gjinisë femër, e moshës madhore ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes”, ka thënë Veseli për rtv21.tv.
Veseli tutje ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve, e cila po e heton rastin.
Për të gjitha veprimet e policisë është njoftuar prokurori i shtetit.