Qifllaku bëhet me çerdhe publike

Në fshatin Qifllak të Vitisë, është përuruar sot çerdhja e fëmijëve, bashkëfinancim i Ministrisë së Arsimit dhe Komunës.

Kryetari Sokol Haliti ka thënë se tani e tutje, prindërit e këtij fshati dhe atyre përreth do ta kenë më të lehtë përkujdesjen ndaj fëmijëve të tyre.

“Kjo është çerdhja e dytë publike dhe nuk do të jetë e vetmja, ngase do të vazhdojmë shumë shpejt edhe me hapjen e çerdhes së tretë publike, krahas atyre private që do të hapen në një të ardhme të afërt”, ka thënë Haliti.

Ai më tej ka shtuar se arsimi parafillor do të jetë prioritet i qeverisë komunale edhe në të ardhmen.

Kurse, drejtoresha e çerdhes së fëmijëve “Gëzimi ynë”, Mirlinda Sylejmani-Zuka, ka njoftuar se në çerdhen e re janë regjistruar 40 fëmijë, derisa kapacitetet fillestare do të jenë për 50 fëmijë.

Çerdhja e fëmijëve në Qifllak është e destinuar për fshatrat Pozheran, Tërpezë, Zhiti, Radivojc, Fshati i Ri dhe lokalitetet tjera përreth.