Qysh pihet kafja?

Do kusheri t’mi pleq, kur pijshin kafe, e hërrpatshin aq shumë sa që nuk rrihej ngat tyne. I kqyrsha kur e çojshin filxhanin te goja e tani vijke ajo zhurma ffffëëëërrrrp.

Nervat me t’i shkatrru. Katunarë hesapi. Ku e di katunari se çka asht kafja? Kshtu mendojshim na rinia e emancipume.

‘Pse bre pe hërrpatni kafen ashtu’ – i pata vetë.

‘Se qeshtu pihet kafja’ – m’patën thanë.

Mramë n’televizor e kqyra nji dokumentar për kafen. Ishte se si ka ardhë kafja n’Evropë dhe si u popullarizu gjithkund n’botë. Pra, qysh e kanë msu botën turko-arabët me pi kafe.

Në nji moment doli nji konoser i kafes n’Londër. Unë kishe veq për venë ka konoser. Po jo, kish edhe për kafe. Nejse. Ai konoseri ia çiti gazetares n’tavolinë nja 10 filxhana me qeshit-qeshit kafe dhe i kallxojke se si pregaditet dhe si vlersohet kafja.

Në secilin filxhan konoseri e mushke ni lugë me kafe dhe e çojke te goja. Ffffëëëërrrrp, edhe ai si kusheritë e mi, rahmetlitë se ma nuk janë gjallë.

Kjo gazetarja e veti pse pe hërrpatë, sikur unë që i vetsha kusheritë e mi.

‘Se qështu pihet kafja’ – u përgjegj konoseri dhe tha: veç nëse e hërrpatë munesh me ia ni aromën dhe me ia ditë kualitetin e lezetin. Ndryshe, kafja nuk shijohet’. Krejt llafet e kusherive t’mi për kafen, i nijta apet mramë prej konoserit anglez.

Eu – thashë vetmeveti – po ata kusheritë e mi kokan kon t’meçëm e mu m’u ka dashtë gjysë shekulli me m’su këtë hesap prej tjetërkujt.

Për son t’ktij masllahati, m’duhet me thanë se prej promshit kam fillu me besu që krejt çka kanë thanë e çka kanë ba pleqtë e tanë, bizbitivi ishin konë përnime.

Krejt problemi asht se na vonë i marrim vesh do punë se kemi kujtu që t’partë e tanë janë konë budallë.

Hepten budallë ishim konë na, rinia e emancipume, po se kishim ditë. /Daut Dauti/