Qytetarët i gëzohen heqjes së testit: Po shkoj te nëna…

Qytetarët e Maqedonisë dhe të Kosovës e kanë mirëpritur heqjen e testit PCR për të kaluar andej dhe këndej kufirit, ku kanë lidhje të shumta familjare e miqësore.

Në orët e para kur kushtet u hoqën, ata, të emocionuar, ju drejtuan kufirit kryesisht për vizita tek më të afërmit, shkruan tetovasot.com

“Po shkoj te nëna ime. Me vdiq në muajin prill dhe nuk e kam pa as kufomën e saj. Jam shumë e pikëlluar. Mezi e kam prit këtë moment dhe t’i shoh vëllezërit dhe vendet e nënës”, tha njëri nga qytetarët.

Në pikën kufitare drejt Serbisë kishte pak lëvizje, kjo pasi autoritetet serbe kanë lënë në fuqi kërkesën për PCR test negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Fluks i madh u vërejt edhe ne pikën malore kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Kolona të gjata dhe qytetarët të cilët me entuziazëm prisnin kalimin e kufirit Bellanic-Stançiq. Kishte edhe nga ata që kalonin në këmbë.

“Jemi gëzuar shumë. Nuk duhej as kufi të kishte këtu po nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi ca kushërinj andej dhe do të ikim t’i vizitojmë. Serbia nuk i hapi kufijtë po duhet edhe ata t’i hapin”, tha një qytetar tjetër.

Pas përkeqësimit të situatës dhe numrit të madh të rasteve të reja me Kovid-19, Qeveria mbrëmë paralajmëroi rishikimin e vendimit për udhëtimin e shtetasve nga Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia pa PCR test negativ në Maqedoni të Veriut.

Mbetet e paqartë nëse Qeveria në mbledhjen e ardhshme do të sjell vendim tjetër ose do të pritet mendimi profesional i Komisionit për Sëmundje Infektive.