Qytetari rrëfen si u keqtrajtua nga ministri Mehaj kur ky ishte përkthyes i KFOR’it

Izet Grejçevci, qytetar nga komuna e Obiliqit në një rrëfim ekskluziv për Periskopin – i cili transmetohet i plotë më vonë – ka treguar një përjetim personal jo të mirë që e kishte pasur në vitin 2004 me KFOR-in norvegjez, ku mes tyre thotë se kishte qenë edhe ministri aktual i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Grejçevci pretendon se Mehaj në cilësinë e përkthyesit atëherë e kishte maltretuar gjatë një ndalese që ia kishin bërë dhe që raste të tilla u kishin ndodhur edhe shumë bashkëvendasëve të tjerë aty.

Sipas tij, për gati 4 orë, KFOR-i norvegjez me Mehajn e kishin mbajtur peng dhe e kishin detyruar që nga furgoni i tij të zbarkojë dy herë ‘buret’ [stand. Fuçi] me pije, me dyshime se mbante karburant për djegie të shtëpive serbe.

’Kanë qenë shumë ushtarë por mes tyre një përkthyes në uniformë. Nëse unë nuk gaboj ka qenë vetëm mbiemri, ka qenë i shkruar këtu Mehaj në anën e djathtë të jaknes edhe ju kam thënë pse po më thuani me i zbrit kur kanë qenë vetëm katër copa edhe kanë qenë shumë të rënda, vet s’mundem me i qit. Ka thënë jo është urdhër, duhet me i qit poshtë. I kam qit qysh kam mujt poshtë dmth. E ka thënë a e din kush është duke i djegur shtëpitë e këto kishat, më saktësisht. Kam thënë nuk e di, edhe janë organet që mundeni me i pyet. Ka thënë jo ti përgjigjesh çka të foli unë dmth. Tani ka thënë prit qaty, unë kam prit edhe nuk më ka lënë me hi në kombi, ku jam ulë në ato buret që i kam qit në tokë. Edhe ia kam bo një pyetje, a muj me ecë, ka thënë jo derisa të vjen një gjeneral që i kemi dhënë të dhënat tuaja me i qu në bazë atje. I kam thënë a vonohet, ka thënë mos vet më se po pyetshe shumë edhe më se kam pyet kurrëgjë’’, ka thënë Grejçevci.

Duke qenë se në atë kohë ishin trazirat e marsit, ky banor i Obiliqit thotë se në fillim ishte gëzuar kur e kishte kuptuar se përkthyesi ishte kosovar, me shpresën se do e kalonte lehtë atë ndalesë.

‘’Kur ka fillu me folë shqip, jam gëzu se thash një pyetje a diç edhe më lëshojnë, se ka qenë kohë e rëndë, a di.”

Ai tregon se cilat kishin qenë sjelljet e Mehajt ndaj tij në veçanti.

‘’Ka kalu një kohë e gjatë, deri 3 orë, 3 e gjysmë qashtu po. Sjellje jo të të mira, s’po di tash qysh me u shpreh, si me dhunë diqysh. Pse po ndodhin këto sene, qysh e… edhe tani ku më ka thënë që duhet me prit, ka thënë se a di ti personi që i ka fillu këto në Obiliq, se këtu ka pasë edhe shtëpi serbe, i kam thënë jo’’, thotë ai.

E Grejçevcin nga ky maltretim e kishte shpëtuar Policia e Kosovës.

‘’I kam qit apet në tokë, e tani pas një kohe më ka ra ndërmend dhe e kam thirr një shok që ka punu në polici (kusheri) edhe pas një gjysmë ore kanë ardhë policia jonë edhe ju kanë thënë, kanë bisedu me të (Mehajn) edhe m’i kanë lypë letërnjoftimin e krejt të dhënat edhe i kam thënë unë se s’kam lidhje me këtë rast edhe ju kanë thënë policia jonë se ky nuk është as nën hetime e as kurrgjë që ka ndodh ky rast edhe kanë thënë se duhet me lëshu njeriun. E tani tek pas gjysmë ore ai oficeri ka thënë merri mjetet edhe nisu.’’

Grajqevci po ashtu thotë se KFOR-i norvegjez i ka kërkuar falje më pas për sjelljet që i janë bërë, dhe ka thënë se përkthyesi [Mehaj] kishte përkthyer keq ato që ishin thënë prej tij.