Rastet i takojnë grupmoshës së fëmijëve të vegjël – 7 prej tyre janë të moshës 1-2 vjeç dhe 2 janë të moshës 4-5 vjeç.

Të gjitha rastet kanë të bëjnë me fëmijë që nuk janë të vaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, rubeollës dhe shytave).

Në njoftimin e saj, IKSHPK thekson se “nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të ‘importuara’, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit”.

Instituti paralajmëron për seriozitetin e kësaj sëmundjeje, duke theksuar se “fruthi është sëmundje shumë serioze, 6 herë më ngjitëse se gripi dhe se 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore si infeksion të veshit, pneumoni, humbje të përhershme të dëgjimit, inflamacion të trurit dhe vdekje”.

Grupi më i rrezikuar nga kjo sëmundje mbeten fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5 vjeç.

Për të parandaluar përhapjen dhe komplikimet e mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje të gjitha familjeve që të verifikojnë kartonët e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë ata në njësitë përkatëse në QKMF-të komunale, sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.

Sipas IKSHPK-së, “vaksina kundër fruthit (MMR) jepet në dy doza: doza e parë në moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë në moshën 6 vjeçe”.

Kjo vaksinë, e cila është në përdorim për më shumë se 60 vjet, konsiderohet e sigurt dhe efektive, ndërsa “të dhënat shkencore kanë dëshmuar se 2 doza të vaksinës ofrojnë rreth 100% mbrojtje nga fruthi”.