Raportohet për therje me thikë në mes të Prishtinës – njëri goditet në gjoks
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur në Prishtinë, ku një person ka përfunduar i therur me thikë, ndërsa tre persona janë arrestuar.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 29 mars 2026 rreth orës 12:30 në rrugën “Nazim Gafurri”, ku është raportuar për një therje me mjet të mprehtë.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dy nga të dyshuarit, Selim Zhitia dhe Isa Ibrahimi, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor “Veriu”. Ndërkohë, prezenca e të dyshuarit tjetër, Ardit Haziri, është siguruar më vonë.
Sipas informatave, pas një përleshjeje mes tyre, i dyshuari Ardit Haziri dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur Isa Ibrahimin në pjesën e kraharorit.
Si pasojë e incidentit, Isa Ibrahimi dhe vet i dyshuari Ardit Haziri kanë marrë trajtim mjekësor.
Të tre të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje pa leje e armëve”.
Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

