Raportohet se Policia po bastis pronat e Ridvan Muharremit – Ridit

Policia e Kosovës ka nisur sot një aksion në pronat e pronarit të restorantit ‘Bukë e zemër’, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet të jetë përfshirë në aferën e vajit, ku dyshohet se janë keqpërdorur 300 mijë euro.

Siç raporton portali Nacionale, Policia po bastis edhe banesën e Muharremit, që njihet si person i afërt me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Aksioni ka nisur rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe nuk ka përfunduar ende.

Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim, mirëpo të njëjtit ende s’kanë dhënë përgjigje.

Kush është Ridvan Muharremi?

Ridvan Muharremi, pronari i lokalit “Bukë e Zemër”, dyshohet të jetë përfshirë në skandalin e qeverisë së Albin Kurtit për rezervat shtetërore.

Sipas përgjimit të publikuar sonte nga Gazeta Nacionale, Muharremi del të jetë ndërmjetësues i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe firmës nga Polonia, e cila s’i ka sjellë rezervat në Kosovë, pavarësisht pagesës që është kryer nga ministria e Rozeta Hajdarit.