Rashiq: Djali im mbahet nga katër orë në kufi – Serbia po ushtron presion psikologjik

Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka folur për presionet që, sipas tij, Serbia po ushtron ndaj serbëve të Kosovës që nuk i përkasin Listës Serbe.

Rashiq tha se autoritetet serbe po përdorin metoda të frikësimit dhe ndalesave në kufi ndaj familjarëve të politikanëve dhe aktivistëve që mendojnë ndryshe nga pushteti në Beograd.

“Djali im, që studion në Serbi, çdo herë mbahet katër orë në kufi. Edhe gruaja ime është ndalur. Kjo është një luftë psikologjike që po vazhdon prej vitesh”, tha Rashiq në Përballje Podcast.

Sipas tij, këto janë forma të presionit të organizuar nga shërbimet e sigurisë serbe për të frikësuar qytetarët që mbështesin alternativa politike jashtë Listës Serbe.