Cilat kategori (s’) kanë nevojë të lajmërohen në zyrat e punësimit për asistencë sociale?

Izet Sadiku

Siç jeni në dijeni Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 30 mars 2020, e ka aprovuar Pakon Emergjente Fiskale për t`u dalë në ndihmë disa kategorive të qytetarëve.

Njëra prej masave është edhe Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale , të lajmëruar si të papunë.

Me që po shihet se qytetarët nuk janë fare të informuar lidhur me këtë masë, në fillim po e jap pjesën e Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, të miratuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, ku janë të sqaruara thuajse të gjitha çështjet.

Menjëherë nën të do t`i jap edhe disa sqarime shumë konkrete lidhur me rolin e Zyreve të Punësimit në realizimin e kësaj mase.

Andaj, juve që mendoni se i përmbushni kushtet për ta përfituar pagesën në fjalë, ju lutem lexojeni këtë shkrim, sepse pjesa dërmuese e qytetarëve që kanë ardhur në Zyrën e Punësimit dhe e të tjerëve që janë lajmëruar online nuk i plotësojnë kushtet për ta përfituar.

Disa nga qytetarët, madje një pjesë e mirë e tyre , mund të përfitojnë nga masat e tjera, të cilat nuk lidhen me Zyrën e Punësimit.

Pra, mos ecni kot, mos e rrezikoni vetveten, familjen dhe zyrtarët ,në këtë kohë pandemie, mos humbni kohë kot, nëse nuk i plotësoni kushtet.

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin orill, maj dhe qershor, në vlerë deri në tre milion (3,000,000.00 € ) euro.

1. Nga kjo masë përfitojnë familjet të cilat nuk kanë asnjë të punësuar (sektori publik dhe privat) dhe nuk pranojnë asnjë pagesë të rregullt mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale) dhe që janë banor rezident të Kosovës;

2. Shuma prej 130 Euro ndahet për një familje, për periudhën Prill – Qershor 2020, në bazë të verifikimeve paraprake. Verifikimi bëhet çdo muaj, ndërsa aplikimi vetëm njëherë. Një përfaqësues i familjes deklarohet si përfitues i skemës;

3. Me qëllim të përfitimit nga kjo skemë, nga përfaqësuesi i familjes duhet të bëhet kërkesa me shkrim që duhet të përmbajë të dhënat e përfaqësuesit/përfituesit, një deklarim që asnjë nga anëtaret e familjes nuk ka të hyra mujore dhe nuk përfiton nga skemat sociale dhe pensionale dhe dëshmia e regjistrimit si i papunë në Agjencinë/Entin e Punësimit shërben si dëshmi në mbështetje të aplikacionit por nuk është e domosdoshme në këtë kohë. Megjithatë, aplikimi në entin e punësimit mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike, përmes metodave me të cilat do t’i njoftoj Agjencia e Punësimit përmes kanaleve të saj të komunikimit. Kërkesat duhet të bëhen më së largu deri më 15 Maj 2020.

4. Ministria e Financave dhe Transfereve do të hartojë një aplikacion për kërkesë, në të cilën do të shënohen të dhënat e nevojshme familjare dhe autorizimi i nevojshëm për përpunim të të dhënave personale, me qëllim të zbatimit të kësaj mase.

5. Kërkesat shqyrtohen nga Divizioni për Ndihma Sociale në kudër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe përgatit listën për verifikim. Marrja e informacionit dhe verifikimi i anëtarëve të familjes lidhur me kushtet e tyre, për të vërtetuar nëse i plotësojnë kushtet për të përfituar nga kjo masë bëhet përmes ARC-së në mënyrë elektronike (certifikatë familjare ose trungu familjar).

6. Të dhënat për të hyrat eventuale mujore për secilën familje verifikohen nga ATK, IT Administratori i data bazës së të dhënave të skemave sociale dhe pensionale (Departamenti i Pensioneve dhe Departamenti për Mirëqenie/Sociale) dhe Thesari/Divizioni i Pagave (aktivitet i përbashkët me ATK).

7. Pagesat sipas kësaj skeme realizohen për muajin Prill, jo më vonë se data 5 Maj, në kuadër të programit të asistencës sociale, sipas listës së përfituesve.

8. Thesari lejon alokim të parakohshëm për zbatimin e kësaj mase.

Pasi e keni lexuar planin operacional po ua shkruar edhe pak sqarime konkrete:

1. Aplikacionin për t`u regjistruar në Zyrën e Punësimit (ZP) si të papunësuar duhet ta plotësojnë vetëm ata të papunësuar që nuk janë të regjistruar në Zyrë nga dhjetori i vitit 2011 kur është instaluar baza e të dhënave.

2. Mjafton që në Zyrën e Punësimit të jetë i regjistruar një anëtar i familjes dhe i njëjti pastaj aplikon për pagesë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

3. Nëse në Zyrën e Punësimit nuk është i regjistruar asnjë anëtar i familjes, ndërsa mendoni se i përmbushni kushtet për ta përfituar pagesën , të regjistrohet në vetëm një anëtar i familjes dhe i njëjti pastaj të aplikoj në ATP për pagesë.

4. Pagesat nuk i bënë Zyra e Punësimit (ZP) . Andaj mos pritni se do ta përfitoni pagesën me faktin se jeni regjistruar në ZP. Nëse keni qenë të regjistruar ose jeni regjistruar në Zyrën e Punësimit dhe mendoni se ju takon pagesa duhet të shkoni dhe të aplikoni në ATK.

5. Kur të aplikoni për pagesë në ATK për të përfituar si i papunësuar , atje së pari e shikojnë a jeni të regjistruar si i papunësuar (kanë qasje në bazën e të dhënave të Zyreve të Punësimit ), pastaj i verifikojnë edhe shumë punë të tjera si për shembull : a merr dikush nga familja juaj pagë, ndihmë sociale, pension e të tjera. Të jeni të bindur se aty i kanë të gjitha të dhënat për çfarë do pagese që mund të merrni ju apo ndonjë anëtar i juaji i familjes, sepse ju duhet ta dorëzoni edhe dokumentin me anëtarët e familjes.

Sa ju përket kategorive të tjera: Atyre që e kanë humbur punën si pasojë e masave të ndërmarra për ta penguar përhapjen e pandemisë siç janë: kamerieret, gjellëbërësit, taksistët, vozitësit e autobusëve, ndërmarrjet që nuk mund t`i paguajnë punëtorët dhe shumë e shumë kategori të tjera, përfitimet e tyre nuk janë të lidhura me Zyrën e Punësimit./mediafokus

(Autori punon në Zyrën e Punësimit në Kamenicë)