Rashiti: Për mosfunkisonim të institucioneve përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se Kosova ndodhet në situatë të rëndë kushtetuese, politike dhe çfarë do të ndodhë nuk dihet sepse kriza, sipas tij, bazohet në ego dhe ambicie të politikanëve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiti thotë se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që të ketë të gjitha institucionet, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ndarjen e pushteteve, me qëllim që të ketë balancë.

Për Rashitin, LVV-ja bart përgjegjësinë më të madhe për mosfunksionimin e institucioneve, por përgjegjësi, sipas tij, kanë edhe partitë e tjera.

“Përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet”, thotë Rashiti.

Për çështjen e fundit, Rashiti mendon se kompromisi është i lehtë të arrihet, nëse ka vullnet, teksa mendon se kreu i ri i shtetit duhet të jetë dikush me përvojë institucionale dhe politike.

“Nuk duhet të jetë tërësisht jopolitik, presidenti duhet të ketë përvojë institucionale politike, sidomos institucionale”, thotë ai.

Ai parashikon që krizat politike dhe institucionale në Kosovë do të vazhdojnë.

Ky jostabilitet politik, ka bërë që Kosova të duket si shtet i dështuar në sytë e partnerëve, vlerëson Rashiti.

Shtetet perëndimore po presin që të ketë një ndryshim radikal të politkbërjes në mënyrë që të angazhohen me Kosovën, ka thënë ndër të tjera Rashiti, në një intervistë të gjatë për Radio Evropa e Lirë. /REL