Rast i jashtëzakonshëm: Kryetari i Komunës shkruan për një punëtor

Të gjithë shkruajnë për kryetarët e komunave, por është rast i rrallë që një kryetar Komune të shkruajë për një punëtor shembullor. Këtë e ka bërë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka bërë një shkrim për mjekun Asllan Bajrami, duke e quajtur atë një zë të fuiqshëm të profesdionistëve shëndetësorë.

‘Për kohë të gjatë ishte zëri i profesionistëve shëndetësor në Ferizaj, duke mbrojtur e promovuar punën e tyre, një profesionist shëndetësor i respektuar, ish drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, kryetar i sindikatave profesionale për vite me radhë, është edhe ferizajasi i respektuar, mjeku stomatolog, Dr. Asllan Bajrami”, ka thënë Aliu.

Karriera profesionale e Dr. Asllanit nis me studimet në Fakultetin e Mjekësinë, drejtimi Stomatologji në Universitetin “Cirili dhe Metodi” – Shkup, punën që nga viti 1985, në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, ku gjatë kësaj kohe ishte i angazhuar edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve si dhe ishte kryetar i organizatës së Kryqit të Kuq në Ferizaj.

Aktiviteti i tij sindikal e politik e bëri që të përndiqet nga organet e pushtetit ku në gusht 1990 u bastis dhe burgos bashkë me katër kolegë në përgatitje të grevës masive të 3 shtatorit 1990, burg që e mbajti për dy muaj, kurse pas lirimit nuk iu lejua puna në vendin e mëparshëm të punës.

Ndërkohë Dr. Asllani u punësua në Kaçanik, qytet ku punoi afro 2 vite, derisa u vendosën masat e dhunshme edhe atje, gjersa në këtë qytet u zgjodh nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë së Kosovës, detyrë që ushtroi deri pas luftës, pa ndalur edhe punën e tij pas largimit nga institucionet, si në entin shëndetësor “Preventiva” bashkë me Dr. Ramiz Avdullin, Dr. Tefik Idrizin etj, kohë gjatë së cilë ishte anëtar i Shoqatës së Mjekëve të pavarur.

Pas fillimit të luftës dhe fushatës së bombardimeve të NATO-s, Dr. Asllani ofroi kontribut të vazhdueshëm në trajtimin e pacientëve bashkëvendës dhe atyre të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Evidencat për trajtimin e këtyre pacientëve i ruan ende në arkivin e familjes. Pas luftës, kthehet bashkë me kolegët në QKMF të Ferizaj, duke qenë dy vite në detyrën e shefit të Repartit të Stomatologjisë dhe detyrën e Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë së Kosovës.

Për shkak të aktivitetit sindikal, në vitin 2004 u largua sërish nga puna, nga QKMF-Ferizaj. Gjatë periudhës dhjetëvjeçare 2004-2014 ushtroi profesionin në ordinancën private dhe u angazhua në strukturimin dhe riorganizimin e Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë në nivel të vendit. Për pesë vjet me radhë implementoi projekte të përkrahura nga sindikata finlandeze, në promovimin e dialogut social.

Në vitin 2014 u rikthye në QKMF-Ferizaj dhe u emërua ushtrues i detyrës së drejtorit, për t’u zgjedhur pastaj drejtor me konkurs publik. Këtë detyrë e ushtroi deri në fund të vitit 2015, kur sërish u largua nga puna dhe pozita e drejtorit në QKMF-Ferizaj.

Pas dy muajsh, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës sjell vendim të plotfuqishëm që ta kthej në pozitën e drejtorit, por ky vendim nuk u zbatua nga pushteti lokal deri në vitin 2018, kur u kthye në pozitën e drejtorit të QKMF-së deri në përfundim të mandatit. Vitet e fundit punoi në profesionin e tij, stomatolog në QKMF, deri më 16 mars 2021 kur u pensionua, kontribute këto të Dr. Asllanit, të respektuara në mesin e ferizajasve.