Reagim i familjes Hyseni: Mos e deformoni historinë për Betejën e Zhegocit
Familja Hyseni nga Vërbica e Zhegocit, e cila ka humbur tre anëtarë të saj në luftë, Ramadan, Shaban e Ilmi Hyseni, si pjesëtar të UÇK-së, kërkon që historia për luftën të mos deformohet, por të prezantohet në mënyrë të drejtë dhe e plotë.
Kjo familje ka dërguar një reagim në redaksinë tonë ndaj disa shkrimeve për Betejën e Zhegocit, të cilin po e publikojmë të plotë.
Reagim me shkas nga familjet e dëshmorëve të Vërbicës së Zhegocit:
Unë Mevlide Hyseni, në emër të familjeve të dëshmorëve nga Vërbica e Zhegocit reagoj ndaj një shkrimi në mediat online.
Ne familjet e dëshmorëve nga Vërbica e Zhegocit në çdo përvjetor të 15 prillit përballemi me një dhembje të madhe për të rënët tanë në fushën e nderit për liri dhe çlirim.
Vërtetë është e rëndë rënia e më të dashurve tanë, por na mundohemi duke kujtuar veprën e tyre ta mundim mërzinë dhe ta kthejmë atë në krenari.
Këto ditë në media online lexuan fëmijët tanë një shkrim shumë i mangët dhe tedencioz mbi luftën dhe të rënët në Betejën e Zhegocit.
Si familje e tre dëshmorëve ndihemi shumë të lënduar, sepse në atë shkrim nuk përmenden të dashurit tanë që ranë si ushtar të UÇK-së. Në tekst nuk përmenden as të rënët tjerë të Vërbicës.
Kanë kaluar mbi 23 vjet nga rënja e tyre në betejën e 15 prillit dhe vazhdimisht lexojmë shkrime të tilla nga një pjesëtar i familjes së njohur Zeka.
Ne si familje të dëshmorëve nga Vërbica e Zhegocit u bëjmë thirrje të gjithë protagonistëve të atyre ngjarjeve të luftës së UÇK-së që të reagojnë dhe të thonë të vërtetën dhe të ndalin shkrimet e tilla, sepse vazhdimisht na lëndojnë plagët e pa shërueshme.
Këto plagë, është e vërtetë që na i shkaktoi serbi, por dikush vazhdimisht prek mbi to dhe na shkaktojnë dhembje të pa durueshme, përfundon reagimi./Mediafokus.info/

