Reagon Imri Ahmeti, mohon se është ‘fajtori’ që komunat e humbën grantin 5.2 milionë euro

17 komuna të cilat janë shpërblyer para tri javësh nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe Qeveria e Zvicrës në shumën prej 5.2 milionë euro, për performancën e vitit 2019, i kanë humbur mjetet pasi ministri i Goran Rakic e anuloi procesin të premten, Mediafokus.info.

Mediafokus.info raportoi të hënën nga burime brenda MPL, se ka qenë pikërisht presioni i kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, që e solli deri tek ky vendim ministrin e Pushtetit Lokal.

Sipas këtyre burimeve, të njejtit, pasi kanë dështuar ta heqin një kriter bazë e që është rishikimi i vendimeve të kundërligjshme për vitin 2019 dhe me këtë janë diskualifikuar nga granti, kanë akuzuar MPL se ‘procesi i vlerësimit ka qenë jotransparent’.

Por, këtë e ka mohuar kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Në një përgjigje elektronike për Mediafokus.info, Ahmeti i ka cilësuar këta deklarata të pavërteta.

“Tërësisht e pavertetë. Perkundrazi absolutisht nuk pajtohemi me vendimin e ministrit Rakiq. Tendenca e cilitdo zyrtar me ju shmang pergjegjësive të veta duke gjetur fajtor, është e papranueshme. Kërkesa e Asosacionit për transparencë të procesit dhe për bashkëpunim të ngushtë me komunat, nuk duhet ta shqetësojë askënd”, ka thënë Ahmeti për Mediafokus.info.

“Asosacioni i Komunave ka kërkuar nga kryeministri Hoti të ftojë në përgjegjësi ministrin Rakiq për vendim të njëanshëm. Assesi nuk e mbështesim vendimin e MAPL sepse është në dëm të Komunave dhe pa konsultim me partneret e marrëveshtjes e në këtë rast edhe pa konsultime me komunat si palë të marrëveshtjes”, ka shtuar ai.

Mediafokus.info e ka kontaktuar mbrëmë edhe kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka premtuar se do përgjigjet përmes e-mailit, të martën (sot). /Mediafokus.info/