Reagon mjeku: Testi që kushton 80 cent në Europë, këtu shitet 25 euro!
Në pikëkalimet kufitare janë shtuar kolonat shkaku i testit anti-Covid, i cili tani po kërkohet për të lëvizur nga njëri shtet në tjetrin, edhe në fqinjësi.
Nga sot, këtë masë ka filluar ta zbatojë edhe Shqipëria, ku deri tani hyrja ka qenë e pakushtëzuar.
Një mjek shqiptar nga Maqedonia, i cili kërkonte të hynte në Shqipëri përmes pikës së Qafë Thanës, ka thënë se është mizore që t`u bëhet test fëmijëve 6-11 vjeç.
“Ne duam të kalojmë ca ditë pushime, por jemi bllokuar këtu. Papritmas u bllokuam në hyrjen e Qafë Thanës, që edhe fëmijët nga 6-11 vjeç duhet të kenë test PCR, kjo nuk vlerësoj se është standard i një vendi europian, shteti amë na vjedh në mes të rrugës në ditën me diell. Nuk di kush është kjo kompani fantazmë, nuk e di se çfarë teste aplikon mbi fëmijët, jam me profesion mjek. Nuk di nëse ka ndonjë vend të rajonit, në çdo vend të BE ky test kushton 80 cent, në vendin tonë 2 euro, ndërkohë që këtu duan 25 euro që ta bëjnë. Shpesh testohem vetë për shkak të punës me pacientë me Covid”, shprehet i mllefosur mjeku nga Tetova.

