Reagon Presidenca: Diplomacia “kry për kry” nuk i bën nder askujt
Pas njoftimit se djali i deputetit Haxhi Shala është emëruar konsull në Pragë, ka reaguar Zyra e Presidentit të vendit, duke thënë se diplomacia në stilin “kry për kry” nuk i bën nder askujt.
Këshilltari i Vjosa Osmanit u. d. e presidentes, Artan Murati, ka thënë se misionet diplomatike dhe konsullore janë pasqyrë e një shteti.
“Për ta forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të vendit, e për t’u ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet ne diplomaci, kundrejt sulmeve të vazhdueshme në shumë fronte nga shtete që kundërshtojnë ekzistencën tonë, duhet mbi të gjitha dije e profesionalizëm”, thotë ai.
Këshilltari i Osmanit thotë se kjo nuk është e mundur nëse nëpërkëmben profesionistët.
“Diplomacia “kry’ për kry’” nuk i bën nder askujt, e sidomos jo shtetit të Kosovës. Kjo praktikë është e patolerueshme dhe nuk do të lejohet e as të përkrahet në asnjë rrethanë”, ka shtuar ai./Mediafokus.info

