VV prish koalicionin me LDK në Prizren, reagon Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se prishja e një anshme e koalicionit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dëshmon për paqëndrueshmërinë e partisë që drejtohet nga Albin Kurti.

Mustafa ka thënë se krerët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vepruar njëjtë edhe përgjatë koalicionit në nivelin qendror, duke marrë vendime të një anshme dhe në mënyrë arbitrare.

“Prishja e njëanshme e koalicionit flet për paqëndrueshmërinë e VV’së. Ata kështu vepruan edhe në koalicionin në nivel qendror, duke ndërmarrë veprime të njëanshme dhe arbitrare”, ka thënë Isa Mustafa për Express.

Kreu i LDK’së ka thënë se Haskuka është në krye të Komunës së Prizrenit falë mbështetjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa e ka paralajmëruar atë se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të rikthehet në pushtet në Prizren.

Mustafa thotë se tashmë me degën e LDK’së në Prizren udhëheqin njerëz që punojnë për LDK’në dhe jo për parti të tjera.

“VV e ka fituar Prizrenin falë mbështetjes së degës së LDK’së në Prizren. Në zgjedhje e reja, LDK do ta fitojë Prizrenin, sepse tani degën atje e drejtojnë njerëzit që nuk punojnë për parti tjera, por janë të përkushtuar për LDK’në dhe qytetarët”, ka përfunduar kreu i LDK’së për Express.

Prishjen e koalicionit në mes të Vetëvendosjes dhe LDK’së në Prizren e ka konfirmuar edhe Anton Quni i cili drejton degën e partisë në qytetin historik../Mediafokus.info/