Refugjatja nga Kosova, kampione e çmimeve ndërkombëtare
Nexhi Hasani

Mbreti Charls i Anglisë ka dekoruar me “Urdhrin e Dytë” më të lartë të Mbretërisë, përveç atyre Kalorsiak, zonjën Remzije Zeka Sherifi, me origjinë nga Kosova.
Si autore e librit “Successful Mather’s”, botuar në vitin 2019, kam patur fatin që, mes shumë vajzave dhe grave shqiptare, të intervistoja edhe zonjën Remzije Zeka Sherifi, e cila është një ndër gratë më të sukseseshme në Britaninë e Madhe.
Si forcë e madhe, gratë marrin rolin udhëheqës dhe, në këtë mënyrë, përforcuan idenë fillestare për botimin e këtij libri, “Successful Mather’s”.
A do të kisha mundur të krijoja një libër të tillë me këtë objekt, pa prezencën e grave?
Nëse njihesh me gratë, nëpërmjet librit, do të kuptosh se ato janë gjithmonë në ballë të përpjekjeve, për të mësuar, për të marrë e për të dhënë njohuri.
Janë ato vajzat e reja shqiptare, të cilat ndërmorën hapa të fuqishme, duke u bërë pjesë e emigracionit për një qëllim të lartë, për një ndryshim në drejtim të pozitivitetit.
Janë ato vajza të vogla, që erdhën minorene e u bënë zonjusha në emigrim, vajza të reja që u bënë nëna.
Vijnë nga rrugë e gjatë, me kthesa e nënkthesa, por të zonja për të gjetur rrugën e vërtetë drejt suksesit.
Këto janë vajzat, nënat tona të urta, humane, punëtore, të zgjuara, që kurrë s’do të dëshironin, për të qenë në qendër të vëmendjes, por ato kanë vetëm një qëllim: ”Të jenë të dobishme në vendin ku jetojnë e veprojnë”, duke dhënë kështu kontributin e tyre për atdheun, si dhe për vende të tjera në botë, ku ndjehet nevoja për frymë të re dhe humanizëm.
Janë të afta të bashkëpunojnë në partneritet me kolege dhe kolegë të ndryshëm, sipas vendeve, ku punojnë dhe sipas projekteve që marrin pjesë, të integruara, më së miri, në të gjitha fushat, në shtetin anglez.
Jeta në mërgatë
Kur je larg mëmëdheut, të mungojnë më të dashurit e tu. Në shpirtin tënd ekziston gjithmonë një gropë e madhe që rri mbushur me lot dhimbje. Lot të paderdhura, për ata që nuk janë më.
Shpirti qan me ulërimë mbytëse, për varret e prindërve, për varrin e motrës e vëllait. Varre që mbajnë peng dashuritë e mëdha.
Toka, ku u linda plasaritet nga tharja, që e krijon, mungesa e njerëzve të emigruar, mungesa e njerëzve të vrarë e të zhdukur nga lufta.
Toka, ku unë linda, është tharë, por gjaku i të rënëve vadit poret e saj dhe, në çdo mëngjes pranveror, aty lind një filiz i ri…
Të mungojnë vitet e arta të rinisë edhe pse të vështira, përsëri ishin të arta. Të mungojnë ato momente të bukura e gazmore të fëmijërisë.
Ke mall për kalldrëmet e vjetra e pluhurin e rrugëve. Mall për aromën e luleve e mall për shkurret. Ndjen të të prekë mbi lëkurë, flladi pranveror dhe erërat e lehta të stinës, sjellin tingujt e jehonës, nga bjeshkët e nëmura.
Sado e mirë që është jeta në mërgatë, ka çmimin që ne e paguajmë me sfida e sakrifica dhe që lënë vragë të përhershme.
Momentet më të hidhura, pa dyshim, për secilin në jetë, janë humbja e prindërve dhe më të dashurve, por dhimbja është shumë më e madhe, kur nuk je pranë, në momentet e fundit të jetës së tyre dhe nuk mundesh të jesh prezent, për t’i përcjellë në banesën e përhershme.
Është e pashmangëshme dhimbja që krijon pamundësia për t’ua hedhur një grusht dhe mbi varr e për t’iu vendosur një tufë lule.
Në mërgatë mësohesh të balancosh arsyet e ndjenjat, t’i pranosh gjërat që nuk kemi fuqi t’i ndryshojmë, të gjejmë forcë për t’u ngritur në këmbë e të ecësh përpara, për hir të fëmijëve e gjeneratave që do vijnë.
Ajo, që më jep kurajë, është që universi dhe Skocia më dhuruan jetën, për së dyti. Me plotësuan dëshirat që t’i shohë fëmijët e mi, duke u rritur e duke përfunduar studimet.
Djemtë e mi, tashmë, kanë krijuar familjet e tyre dhe më kanë falur gjashtë ëngjëj të mrekullueshëm dhe për t’u ndjerë akoma më e krenuar, fëmijët e mi kanë korrur shumë sukses në karrierat e tyre dhe menaxhojnë kompanitë e tyre private.
Janë punëdhënës, veçanërisht, në përkujdesje ndaj shqiptarëve, por edhe për punëtorët e tjerë të qytetit ku jetojnë.
Më gëzon edhe fakti që, kontributi im në shoqërinë britanike, u vlerësua për punën në fushën e zhvillimit shoqëror, të artit dhe kulturës.
“Përvoja më ka mësuar në jetë, – shprehet Remzija, – se njerëzit e harrojnë atë që keni thënë, por do t’ju mbajnë ndër mend për atë që keni bërë, veprën, që do të mbetet trashëgimi, për brezat që do vijnë, e kjo ka posaçërisht peshë, këtu në dheun e huaj”.
Ajo rrëfimin e saj dëshiroi ta përfundojë me një thirrje për të gjithë shqiptarët: “Do t’u kisha bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, që të jemi më tolerantë, më të respektueshëm në respektimin e mendimeve dhe ideve të njëri-tjetrit.
Skenën politike shqiptare, në dy anët e kufijve, e kanë pllakosur kundërthëniet e kriza politike. Kurrë, më parë shqiptarët nuk kanë qenë më pranë korrigjimit të padrejtësive shekullore, prandaj është momenti për t’u ndërgjegjësuar e shfrytëzuar momentin e të gjithë energjinë ta përqendrojnë për të marrë fatin në duart e tyre e realizuar ëndrrën e kahmotshme të Bashkimit Kombëtar.
Në këtë synim, duhet shfrytëzuar edhe potenciali mendor i diasporës, ngase është dëshmuar se, trojet shqiptare janë djep i inteligjencës dhe yjeve që ndriçojnë, në të gjtha sferat kudo, që janë nëpër botë.
Çdo njëri nga ne, duhet të mburret me rrënjët tona, të jemi ambasadorë e të prezantojmë vlerat dhe kulturēn shqiptare, ngase kudo që jemi, jemi pasqyrë e kombit e duhet të ndërtojmë imazhin e shqiptarëve.
Suksesin që e kam arritur në dheun e huaj, nuk e kam arritur vetëm në saje të pasionit që është energji dhe motor i entuziazmit i përkushtimit tim, por falë bashkëpunimit tim me institucione të ndryshme qeveritare, e jo qeveritare dhe përkrahjes së pashoq të shumë njerëzve të mençur e, në radhë të parë të bashkëshortit e familjes sime”.
*
Është për t’u vlerësuar dhe admiruar ky profil i spikatur i Remzijes, i cili e ka burimin te përkatësia e formimit të saj individual e asimor, kulturor dhe etik, te vizioni dhe gjallëria e saj për të eksploruar dhe për të gjetur forma e trajta të reja të ecurisë, vënia në shërbim të kësaj ecjeje të talentit, profesionalizmit, të kërkesës ndaj vetvetes…
Kjo ka produktuar gjallëri ekzistenciale dhe Remzija është një shembull frymëzimi dhe referimi për femrat e tjera; është një profil femre, e cila, me aftësitë e saj shumëplanshe, ka përballuar vështirësi shëndetësore dhe e ka fituar sfidën me sëmundjen.
Vetëm një njeri plot vullnet, guxim lëvizës dhe karakter kërkues, mund të arrijë në këtë nivel dhe në këtë shkallë.
Evident është fakti se shoqëritë reale të emancipuara, të gjitha përfaqësueset e shoqërisë civile, apo organizmat shtetërore, sikundërse në Skoci, vlerësojnë në mirëfillësi kontributet…
A s’është shembulli i Remzijes një i tillë!
Disa gjëra në jetë, nuk janë rastësi, por ndodhin gjithmonë për një arsye. Nëse, lejojmë veten të biem preh e sëmundjeve dhe luftrave, atëhere shuhemi si komb dhe si individë.
Për realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve, duhet dhe kërkohet forcë, energji pozitive si dhe inspirim.
Kur zonja Remzije ishte 5 vjeçe, familja e saj mori vendimin që të shpërngulet nga Prishtina në Gjilan, pasi babai i saj u transferua zyrtarisht me punë atje me pune.
Pasi lufta u përhap në Ballkan, që në fillimet e saj, ushtarakët perëndimorë ndërhynë në Kosovë.
Gjatë luftës, fatmirësisht, bashkë me tre djemtë e saj, zonja Remzije dhe bashkëshorti i saj u strehuan në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë, por ajo thotë se shpirti i saj ngeli në Kosovë.
Më 9 maj të vitit 1999, familja Sherifi, së bashku me 360 shqiptarë të tjerë, morën rrugën për në Skoci, falë programit humanitar të Mbretërisë së Bashkuar.
Ishte një rrugëtim i gjatë e plot ankth, por kur mbërritën në aeroportin e Glasgow, zonja Remzije tregon se aty mori frymë lirisht dhe këtë ditë e cilëson si ditën kur lindi për herë të dytë.
Ajo tregon …- Dëshira dhe shpresa ime e vetme, para së gjithash, ishte t’i shoh fëmijët e mi duke u rritur.
Nata e 28 marsit e vitit 1999, ishte nata më e
gjatë në jetën time. Minuti më dukej sa viti dhe ora sa një shekull!
Të strukur në bodrumin e ftohtë prej betoni, në shtëpinë e motrës sime të ndjerë, bashkë me djemtë, bashkëshortin dhe anëtarët tjerë të familjes, dëgjuam lëvizjes e tankeve dhe gjuajtjet e padëgjuara më parë.
Nga minuta në minutë prisja që paramilitarët serbë të thyejnë derën dhe të përjetonim tmerrin.
E ajo, nga më së tepërmi frikohesha, e që shumë bashkëvendës kishin përjetuar më parë, ishte masakrimi i fëmijëve para syve të prindërve apo përdhunimi i grave në prani të fëmijëve.
Atë natë pos shtëpisë së familjes së Kadri Zekës dhe katër shtëpive të tjera, ishte goditur edhe shtëpia jonë dhe kishte edhe viktima.
“Nga tragjedia e familjes time, na ndau vetëm një kohëzgjatje prej 5 minutash për të ikur në një vend më të sigurt,”- rrëfen ajo.
– E ndjeja brenda vetes se kisha ende për të dhënë në këtë botë. Ishte herët për të ikur dhe kisha një thirrje nga brendësia ime që duhet të bëja diçka, për të mirën e fëmijëve të mi, por jo vetëm për ata. T’u ktheja lumturinë ëndrrave të humbura të fëmijërisë dhe të mirën e komunitetit kosovar, deri këtu.
I shpëtova vuajtjeve të luftës në Kosovë, por nuk e dija, nëse do t’i shpëtoja luftës me kancerin“.
Remzija pati një luftë të dytë, e cila ishte direkt e lidhur me largimim nga puna. Jeta, nën thundrat e okupimit serb, për një dekadë, bënë që të gjitha ëndrrat e saj të mbyllen në sirtar.
Jetonte me frikën se mos humbiste njerëzit e familjes, si dashuritë e saj më të mëdha dhe shendetin. Ishte në listën e pacientëve që do të operoheshin dhe, për këtë shkak, ajo vuante dyfish, shpirtërisht.
Falë përkrahjes morale nga bashkëshorti i saj, pas ndërhyrjes së suksesshme kirurgjikale, Remzija fillon studimin e gjuhës angleze dhe u certifikua si përkthyese.
Krahas punës vullnetare, ajo themelon “Grupi i dramës për fëmijtë kosovarë”, “Grupi i grave dhe i valltarëve”, si bazat e forta për themelimin e bashkëpunimit shqiptaro-skocez, “AlbScott”, të cilën ajo ende e koordinon.
Më tepër se, tre vjet punoi, vullnetarisht, në shoqata e institucione joqeveritare skoceze, për rininë dhe gratë, një periudhe kohe kjo, para punësimit në organizatën rinore.
Në vitin 2003, ajo pranohet anëtare në Organizatën e Zhvillimit të Komunitetit “Links”.
Në vitin 2004, zonja Remzije pati një ndërhyrje të dytë kirurgjikale, por kjo nuk e ndali të vazhdojë angazhimet në punë.
Vetëm një javë pas ndërhyrjes, ajo mori postin e koordinatores për zhvillim në Maryhill Integration Network, që ka për qëllim krijimin e urave lidhëse në mes të komuniteteve të ndryshme në Skoci.
Remzija është drejtuese e Albcott Albania Associatione Skocese, mbi baza vullnetare.
Krahas punës, vijon trajnime për menagjment e bashkëpunim me komunitetet, në një periudhë të gjatë kohe.
Prej 15 vitesh, drejton “Maryhill Integration Network” (MIN) dhe ka korrur sukses në këtë organizatë, e cila ka një staf prej 5 anëtarësh, 6 bashkëpunëtorë sezonalë dhe 60 vullnetarë.
MIN luan rolin urëlidhës në integrimin e azilkërkuesve, refugjatëve, emigranteve dhe qytetarëve të komuniteteve të tjera me ato vendase.
Ndihma e njerëzve në nevojë dhe respektimi i vlerave universale të të drejtave të njeriut, që nga mosha rinore, kanë qenë vegimi e kureshtja e saj.
Kjo platformë e ka paraprirë në realizimin e suksesshëm e të gjitha nismave, që ka ndërmarrë gjatë dy dekadave të veprimtarisë së saj, në Skoci.
Në vitin 2006 themeloi Teatrin e parë Internacional në Skoci, të vallëzimit modern “Echo Production”.
Remzija ka shkruar skenarët dhe ka drejtuar mbi 20 produksione teatrale të shfaqura në manifestimet dhe festivalet më prestigjioze në Skoci. Tetë prej këtyre produksioneve u shfaqën në Teatrin mbretëror “Royal Theatre”, në Glasgow.
Njërën nga produksionet ua kushtoi grave të përdhunuara, gjatë luftës në Kosovë, atyre grave, vajzave, nënave, të cilat u vranë shpirtërisht dhe moralisht, e iu vodh lumturia, në atë kohë të tmerrshme, e cila la gjurmë të pashuara në jetën e këtyre viktimave të luftës.
Madje, në vitin 2014, ishte bashkëproducente me “Scottish Opera”, për të venë në skenë operën: “Songs of friendships”.
Arti nuk ka kufij dhe nuk i përket asnjë religjioni. Arti është mënyra më natyrale për afrimin e njerëzve dhe lulëzimit të miqësisë, pavarësisht prejardhjes, ngjyrës apo besimit fetar.
Ajo beson se, artet dhe rrëfimet janë një mënyrë e fuqishme për të aritur dhe ndryshuar qëndrimet, duke kulmuar me botimet, eksipcionet, dizanjimin e kostumeve dhe shfaqjet e modës si dhe korin ndërkombëtar.
Vallet popullore, prodhimi i teatrit dhe ngjarjet tjera artistike prezentohen në nivel lokal të gjerë dhe kombëtar.
Në bashkëpunim me “Glasgow Open Museums AlbScott” dhe “MIN”, në 2014 ka organizuar ekspozitën “1+1: Jetë dhe Dashuri”, e cila përfaqësonte kulturën e begatë shqiptare.
Kjo ekspozitë, që në muajt e parë të saj, të cilat u hapën në muajt e beharit, në
”Kelvingrove Art Gallery”, është vizituar prej rreth dy milionë njerëzish, nga mbarë bota.
Në vargun e ekspozitave të tjera nëpër muzeumet e Skocisë, duhet të theksohet ekspozita e përhershme që, në vitin 2018 u hap në bashkēpunim me “St Mungo Museum of Art and Religion” me titull “The New Scots” me eksponate, të cilat përfaqësojnë komunitet e ndryshme, që emigruan në Skoci, dy dekadat e fundit dhe, pjesa më e madhe e ekspozitës, përmban eksponate nga trojet shqiptare, përfshirë ornamente, relievi i Kosovës me mineralet e Trepçes dhe kutia e bakërit e punuar në teknikën e filigranit, zejë kjo e bartur ndër shekuj nga brezi në brez në trojet shqiptare.
Remzija, gjithmonë ka pasur si pikësynim idenë se, për të arritur te vëmendja e njerëzve dhe, për t’ua ndryshuar mendimet, për t’u hapur zemrat e tyre ndaj shqiptarëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve, me publikimin i librave dhe prodhimin e filmave të shkurtër, që luajnë një rol të veçantë.
Ajo është autore e librit “Shadow behind the sun”. Ky libër u botua në vitin 2007 dhe u vlerësua, duke u renditur i pari në nominim, për shpërblimin “Saltire Price, shpërblimi ky më i lartë në letërsinë në Skoci, si dhe për çmimin e librit të Arteve Skoceze.
Arti nuk ka kufij dhe nuk i përket asnjë religjioni. Arti është mënyra më natyrale për afrimin e njerëzve dhe lulëzimit të miqësisë, pavarësisht prejardhjes, ngjyrës apo besimit fetar.
Ajo beson se artet dhe rrëfimet janë një mënyrë e fuqishme për të aritur dhe ndryshuar qëndrimet, duke kulmuar me botimet, eksipcionet, dizanjimin e kostumeve dhe shfaqjet e modës si dhe korin ndërkombëtar.
Vallet popullore, prodhimi i teatrit dhe ngjarjet tjera artistike prezentohen në nivel lokal të gjerë dhe kombëtar.
Remzija është producente dhe botuese (editore), në një varg publikimesh, sikundër janë: “Second Home”, Antologji me prozë e poezi.
Libri “Heart of the Home”, përmbledhje të recetave të gatimit e përmbledhur me përvojë nga 22 shtete, përfshirë këtu edhe ato të trojeve shqiptare.
”The Right to Dream”, libër ky i shkruar nga poetët e rinj.
“Tiny Songbirds” përmbledhje dhe CD me ninulla në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.
Dhe së fundi, është producente e librit të “The Sea of Paperwork”, për moshat më të reja, shkruar nga nxënësit e katër shkollave fillore e të mesme të Glasgout, për të kuptuar më mirë hallet e azilkërkuesve.
Remzija është nderuar në vitin 2007, si Kampione Komunale, e përzgjedhur nga Evening Times.
Për Remzijen nuk është diçka e re marrja e çmimeve. Në vitin 2008, me Champione për Skocinë; në vitin 2009, ajo është fituese në “The Evening Times, Glasgow Communitety; në vitin 2012, Kampione për të arriturat jetësore në lëmin e artit dhe kulturës, në Skoci.
Përsëri merr çmimin prestigjioz të filmit për Art dhe Kulturë, nga Komiteti i Arritjes Etnike të Pakicave Skoceze.
Më 2013 u shpall “Gruaja Emigrante e Vitit në MB”. Ky çmim, më vonë, u pasua nga një tjetër, “Life Time Achievement Award”.
Në vitin 2014, në Maryhill Burgh Halls, godinë kjo mbi 200 vjeçare, e cila, pasi u rikonstrukturua, u gdhendën mbi të emrat e dhjetë qytetarëve, që kontribuan gjatë shekullit të fundit, në mesin e tyre gjendet edhe emri i zonjës Remzije.
Tre vite më parë, ajo u ftua në TEDx Glasgow për të rrëfyer rrugëtimin dhe punën që bën në Skoci, me temën: Zonja Remzije per kontributin e punen e palodhshme larg pritshmërive të saj, u rendit në listën e Grave më me ndikim në Skoci, “Gruaja Inspiruese e Vitit“ për Glasgow dhe një ndër dhjetë gratë më të suksesshme në shërbim “bamirësi”, shpërblime e vlerësime.
Në koleksionin e mirënjohjeve janë edhe dy çmime nga Institucionet e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e nderoi atë me mirënjohje për kontributin e dhënë para luftës në këtë komunë dhe prezantimin e denjë të traditës dhe kulturës shqiptare në botë, si dhe ne 45 vjetorin e Radio Gjilanit dhe çmimi për kontributin e dhënë në fushen e informimit e te medias.
Në lidhje me marrëdhënien organizatat që punojnë së bashku, Remzija ka qenë jashtëzakonisht frymëzuese.
Remzija punon shumë për të arritur me sukses projektet, të cilat plotësojnë nevojat e drejpërdrejta të skotëve të rinj, duke i afruar atyre njohuri, gjetjen e udhëve si dhe shkëmbimin e përvojave, që kanë sjellë mbi shpatullat e tyre, një shans ky, për të ndarë trashëgiminë dhe kulturën e tyre, në mënyrë që të lulëzojë diversitetin kulturor skocez, e krijuar mundësi të barabarta për njerëzit, të cilët kërkojnë azil, refugjatët, BME-Migrantët dhe komunitetet lokale, per t’u takuar, thelluar lidhjet dhe miqësitë e tyre, përmirësuar cilësinë e jetës dhe promovuar vlerat kulturore e prezantuar thesaret tradicionale.
Për të arritur këtë, Remzija, së bashku me përdoruesit e shërbimeve, anëtarët e stafit dhe vullnetarët, kanë dizenjuar një program te larmishem ku pos mbështetjes e këshillave profesionale juridike, e mundesive të të mësuarit të gjuhës angleze, ofrohen edhe aktivitete e projekte, që përfshijnë grupet e “Oasis Womens grup” , “Mens Group”, ai i korit, i shkrimtarëve, i vallëzimit tradicional, “Echo production”, projektet mjedisore si dhe evenimente me karakter komunal e kombëtar.
Qasja e saj krijuese dhe inovative do të thotë se rrjeti i integrimit të Maryhill është duke eksploruar gjithmonë në rrugë të reja, për t’i sjellë njerëzit së bashku.


