Rrëfimi i Daut Dautit para se të futej në operacion: Mjekja më tha se komplikimet mund të rezultojnë me vdekje

Publicisti kosovar që jeton dhe vepron në Londër, Dr. Daut Dauti, ka ndarë me publikun përvojën e tij si pacient në spitalin  Middlesex University Hospital, transmeton Mediafokus.info.

Pak para se të futej në sallën e operacioneve, Dauti tregon se si u frikësua pak kur mjekja i tha se komplikimet eventuale mund të rezultojnë me vdekje.

“Natyrisht që nuk do të vdisja, por ec e mos u frikëso kur dikush që ta përmend vdekjen është mjeku -ai/ajo që më së miri i di këto punë. Mjekët e shohin vdekjen ndryshe nga pacienti”, ka shkruar Dauti.

Ja rrëfimi i Daut Dautit:

Nga ditari i një pacienti

Londër, Middlesex University Hospital, 13 korrik 2021

Për shkak të pandemisë, spitali zbaton rregulla të veçanta. Për ata që shkojnë për operacion, sikur unë, është hapur një hyrje e veçant dhe me kontroll strikt. Për shkak të këtij dreq kovidi, më është shtyer operacioni me muaj.

Në paradhomën e operacioneve ku më shtrinë për të më kontrolluar erdhën disa infermiere me radhë për ta bërë punën e tyre. Dy a tri prej tyre ishin me siguri nga Filipinet. Spitalet në Angli janë një lloj OKB-je. Pastaj erdhi mjekja konsultante me pamje aziatike, indiane ose pakistaneze. Më njoftoi për mënyrën se si do të shkonte puna e operimit. Pastaj, komplikimet që mund të ndodhin e që mund të rezultojnë me vdekje.

‘Vdekja në rastin tënd nuk ndodhë, por unë e kam për detyrë që t’i njoftoj pacientat për këtë gjë. Ky është spital universitar dhe ndër më të mirët në Londër’ – më tha që të ma largonte frikën. Natyrisht që nuk do të vdisja, por ec e mos u frikëso kur dikush që ta përmend vdekjen është mjeku -ai/ajo që më së miri i di këto punë. Mjekët e shohin vdekjen ndryshe nga pacienti.

Salla e operacionit dukej si laborator i NASA-s. Gjithçka vizëllonte sikur që unë isha pacienti i parë në të cilin po përdorej kjo teknologji. Me buzëqeshje më priti mjekja që do të më operonte dhe mjeku ndihmës i saj. Mjekja kishte emër dhe pamje aziatike kurse ndihmësi kishte emër e mbiemër grek (nëse kjo ka rëndësi). Anesteziologu dhe tre tjerë më rrinin te koka pa e humbur buzëqeshjen. I numërova: tri gra e dy burra.

Filloi biseda e zakonshme, por u zgjat pak më shumë për shkak se nuk mund të mi gjenin venat në dorë ku do të më shponin për infuzion apo për diçka tjetër. Në mënyrë që të mos krijohej qetësia, mjekja më pyeti se me çka merrem. I tregova dhe ajo u bë sikur që u mahnit. Me këtë rast mjeku ndihmës u ulë para kompjuterit dhe pas një qasti tha:’ëoë, ti qenke në Ëikipedia’ dhe vazhdoi ‘qenke gjithkund në internet’.

I erdhi radha mjekes kryesore:”pasi qenke ‘celebrity’ do të kujdesemi më shumë për ty”.

Ia ktheva komplimetin:’Unë gjithmonë ndjehem i sigurt në duart e grave, sidomos nëse janë mjeke’.

Natyrisht, e tërë kjo ishte në funksion që te unë të krijohej faktori i ndjenjës së mirë.

Pas vendosjes së maskës, nuk besoj që qëndrova më shumë se tre sekonda me vetëdije. Momenti i fundit që më kujtohet ishte ora digjitale në murë që tregonte 11:35. Sa do të jetë ora kur të zgjohem (nëse zgjohem)?

Vetëdija më erdhi rreth orës 1:30 dhe pashë se më kishin bartur në një dhomë tjerër. Nuk vonoi dhe erdhi një mjeke tjetër. ‘Operacioni ka kaluar pa asnjë komplikim’ – tha dhe vazhdoi:’t’i kemi hequr gurët dhe stendën nga veshka. Nuk ke nevojë për asnjë ilaç dhe mos merr as paracetamol nëse mund ta durosh dhembjen që do të jetë e shkurtër’. Në Angli mjekët rrallë të japin ilaçe e gati kurrë inekcione. Interesant, apo jo?

Pas një ore më kapluan dhembjet më të mëdha që deri në atë moment kam pasur në jetën time. Dhembja niste në veshkë dhe nëpërmes mëshikëzës ndalej në kanalin dalës të urinës. Kamera dhe teli që kanë hyrë brenda për nxjerrjen e gurëve dhe stendës, i kanë ngacmuar këto pjesë e ndoshta edhe i kanë gërryer. E thirra infermieren dhe ajo erdhi pa u vonuar. Tërë trupi dhe flokët m’u bënë qull nga djersitja. ‘Është gjë normale’ – më tha ajo duke m’i fshirë djersët. Nejse, dhembja nuk është normale, thash vetmeveti.  

Një shqiptar nga Vushtrria rrinte në shtratin tjetër. Kishte dalur nga ndonjë sallë më herët se unë dhe ishte këndellur para meje. Nuk ka gjasa të shkosh dikund e të mos takosh shqiptarë. Kishte halle të mëdha dhe më tha se shtatë herë ishte bërë operacion deri tashti. Operacione të vështira, përfshirë tumorin. Çuditërisht, nuk bëhej aspak merak. Nuk është e kotë një fjalë e jona popullore që thot:’dil n’pazar nëse do me matë veten’. Në këtë rast shko në spital nëse do me pa se tjerët i kanë punët më keq.

Rreth orës 5 erdhi sërish një mjeke tjetër. Erdhi vetëm për të më lajmëruar se duhej të shkoja në shtëpi se gjithçka ishte në rregull.

Sot në mëngjes m’u kujtu dita e djeshme. Tërë procesi në spital ndodhi duke qenë unë në qendër kurse tërë ai personel mjekësor duke qenë shërbëtorë të mi të përulur. Gjithçka është në shërbim të pacientit. Lëre që janë profesionist, për shkak se shkolla i bënë të tillë, por mirësjellja e tyre është edhe më e madhe. Profesionaliteti është i kombinuar me kulturë dhe sistem mahnitës të rregullave të punës që zbatohen me përpikëshmëri.

Por, gjëja kryesore është se tërë ky shërbim bëhet falas. Shkon në spital me duar në xhepa dhe pa kuletë. Ashtu edhe del nga spitali.