Regjistrohen mbi 75 mijë votues nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar numrin e votuesve nga diaspora që janë regjistruar deri me tani.

Ai ka thënë për Gazetën Paparaci se deri dje në orën 13:30, janë aprovuar mbi 75 mijë kërkesa për regjistrim.

“Në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 25 dhjetor, në orën 13:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 75,211 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,581 janë refuzuar”, ka thënë Elezi.

Elezi tutje ka shtuar se nga 75,211 aplikime të aprovuara, 16,876 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 11,769 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 46,566 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

Elezi ka sqaruar edhe arsyet se pse janë refuzuar mbi 4 mijë e 500 aplikime.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, ka shtuar ai për Gazetën Paparaci.