Reshat Beqiri – mjeshtër i kitarës dhe vlerë e gjallë e kulturës gjilanase

Sabedin Sherifi

Në mesin e artistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore të Gjilanit, emri i Reshat Beqirit zë një vend të veçantë.

Me origjinë nga Vërbica, ai është ndër muzikantët më të njohur e më të respektuar të rajonit, i cili për dekada me radhë ka dhënë një kontribut të çmuar në muzikën e qytetit.

Me mjeshtërinë e tij në kitarë, Reshat Beqiri ka shoqëruar e frymëzuar dhjetëra këngëtarë e grupe muzikore, duke u bërë pjesë e pandashme e shumë koncerteve, festivaleve dhe krijimeve origjinale.

Puna e tij e përkushtuar, stili i ndjeshëm dhe tingujt e pastër që i nxjerr nga kitara e kanë bërë të dashur për publikun dhe kolegët e tij artistë.

Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën vendore, Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka nderuar Reshat Beqirin për veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij origjinale, në shenjë mirënjohjeje për dekadat e përkushtimit ndaj artit.

Ky nderim ai e ndau me të ndjerin bashkëpunëtor e mik, me të cilin ndau shumë momente të bukura artistike dhe njerëzore.

Në rrjete sociale, shokët dhe kolegët e tij e kujtojnë me respekt e dashuri:

“Komplimentet më të mira nga njerëzit më të mirë që njoh i paske marrë, Reshat – vlerë artistike e shtuar reale!”, shkruan njëri prej tyre.

Një tjetër shton me nostalgji: “Herët e ke nis, o Resh, unë të mbaj mend me mandolin në shkollë të mesme. Për Gjilan ndoshta edhe për Kosovë je legjendë e gjallë për kitarë.”

Edhe sot, Reshat Beqiri vazhdon të krijojë melodi të mrekullueshme, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk njeh kohë.

Ai mbetet shembull i rrallë i përkushtimit, modestisë dhe dashurisë ndaj muzikës – një figurë që nderon kulturën e Gjilanit dhe pasuron trashëgiminë tonë shpirtërore.

Reshat Beqiri – një kitarë që flet me shpirt, një artist që mbetet frymëzim./Mediafokus