Mësuesi që përhapi dije dhe pajtoi hasmëri
Reshat Shaqiri, ose siç njihej ndryshe ‘Mësuesi Reshat’, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin e Gjilanit dhe te populli i kësaj ane, shkruan Mediafokus.info
Reshat Shaqiri është i lindur më 22 shkurt 1926, në fshatin Përlepnicë, në një familje arsimdashëse, nga babai Mulla Emin Shaqiri dhe nëna Emine Ismajli nga Gjilani.
Shkollimin fillor e kreu në fshatin Kmetoc (I-IV). Në vitin shkollor 1939/40 u regjistrua në Medresenë “Isa Begu”, në Shkup.
Për shkak të luftës, mësimin në këtë Medrese e ndërpreu dhe vazhdoi mësimet në Medresenë “Atik”, në Gjilan.
Më 1944 edhe këtu shkolla u mbyll për shkak luftës.
Pas luftës me anë të kurseve pedagogjike, përfundoi shkollimin e mesëm, më 1954.
Më 25.11.1978 e përfundoi Akademinë Pedagogjike, Drejtimi-Klasor, në Gjilan.
Më 16.11.1944, iu bashkua aradhave partizane të kohës, aty shërbeu deri në nëntor të vitit 1945. U emërua Sekretar i Këshillit të fshatit Përlepnicë me rrethinë.
Në qershor 1946 u kualifikua për mësues, në kursin Pedagogjik të Pejës.
Në vjeshtë të po këtij viti u emërua mësues në fshatin Pozhoran (kishte 200 nxënës të rregullt dhe 100 tjerë të rritur në kurse për zhdukjen e analfabetizmit).
Në prill 1946 e transferuan mësues në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku punoi deri në tetor 1947.
Nga Pogragja shkon në shërbimin ushtarak. Pas shërbimit ushtarak emërohet referent i Arsimit për të rritur.
Më pas transferohet në Cernicë dhe në Zhegër.
Në këtë vit dënohet nga gjykata me dy vite mos ushtrim të detyrës si mësues nacionalist.
Më pas u emërua mësues në Pogragjë, ku punoi deri në shtator të vitit 1959. Në vitin shkollor 1959/60 filloi punën në Bukovik.
Ndërsa në vitin shkollor 1960/61 u transferua në Përlepnicë. Në vjeshtën e vitit 1964 transferohet në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan.
Nga 1972 punoi në shkollës fillore “Selami Hallaçi”, deri më 31.8.1987, kur u pensionua.
Angazhimi dhe aktiviteti i tij arsimor, politik, shoqëror e kombëtar në detyrat ku ishte caktuar të punonte, bie në sy të autoriteteve shtetërore jugosllave, prandaj edhe në vazhdimësi transferohet e përjashtohet nga shkollat ku caktohej të punonte.
Shpallej nacionalist e dënohej me dekrete shtetërore.
Që nga fëmijëria u përball me vështirësi, por nuk u thye asnjëherë.
Kontribut të madh dha në aksionin ‘Familja ndihmon familjen’ si dhe aksionin për pajtimin e gjaqeve, ku kontribuoi deri në fund të jetës së tij.
Në ditarin e tij janë evidentuar mbi 1800 raste pajtimi, ngatërresa e mosmarrëveshje. /Mediafokus.info

