Retro: Enver Muja ishte njëri prej themeluesve të arkës së shtetit
Para 6 vitesh, në këtë ditë, ka ndërruar jetë ish-kryeshefi i parë ekzekutiv i Komunës së Gjilanit, Enver Muja. Tri dekada të jetës së tij, Muja punoi për vendin, që nga Këshilli i Financimit, e deri te administrata komunale, të cilën e drejtoi në dy mandate, si kryeshef ekzekutiv, shkruan Mediafokus.info.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës ka thënë se Enver Muja ishte i lidhur ngushtë me lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme e shpeshherë të rrezikshme për kohën.
Enveri ka qenë njëri prej themeluesve të arkës së shtetit, njëri prej bashkëthemeluesve të Këshillit për Vetëfinancim e më vonë edhe si kryeshef ekzekutiv, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike dhe institucionale në Gjilan.
Enveri është shquar për qetësinë dhe urtësinë e tij, por mbi të gjitha për bashkëpunim dhe për profesionalizëm. Ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyra dhe t’i ndajë ato me të gjithë kolegët e tij, për t’i realizuar për një qëllim të përbashkët.
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e mbajtur më 22.12.2000, duke u bazuar në Rregulloren 2000/45 mbi vetëqeverisjen e komunave të Kosovës, nxori vendimin për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, pozitë kjo që iu besua Enver Mujës, i cili më vonë do të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër.
Me ligjin e ri për qeverisjen lokale, Komunat nuk kanë më kryeshef ekzekutiv./Mediafokus.info

